Telegrafi

“Paga mesatare në Kosovë 780 euro”, reagon Tahiri: Manipulim me statistika, faktet flasin ndryshe

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se në sektorin publik të Kosovës vazhdon të ekzistojë një manipulim i dukshëm me statistika, duke krijuar një pasqyrë të rrejshme të pagave mesatare.

Ai përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se një shembull konkret është krahasimi mes pagave të zyrtarëve të thjeshtë dhe atyre të pozicioneve politike, ku diferencat janë të theksuara.

“Paramendoni se si ndihet një zyrtar në Komunë apo Ministri, kur numrat më të lartë janë në kategoritë Profesional 1 dhe 2, e ku pagesa neto (pas pagesës së tatimeve dhe kontributeve pensionale) lëviz në mes e 389 dhe 475 eurove, ndërsa dëgjon krekosjen e pagës mesatare në sektorin publik prej 780 eurove”, ka shkruar Tahiri.

“780 euro mund të jetë mesatarja e pagës së pozitave politike, nga kryeministri e poshtë te asistenti i ministrit, por jo e administratës shtetërore”, vijon tutje opozitari.

Tahiri thotë se e vërteta është se rritjen më të madhe të pagesës e kanë pozitat politike, këshilltarët e kabinetit dhe anëtarët e kuvendeve komunale.

Lexo po ashtu Bajrami thotë se pushteti po bën gënjeshtra mbi pagën mesatare, paga po i rritet vetëm kryeministrit dhe kabinetit të tij

“Shikoni sa merr pagë një zyrtar komunal, përfshirë edhe ata në ministri/agjenci, në kohën e krizës së çmimeve, nga pasojat e inflacionit. Nëse inflacioni është i importuar, ai është transferuar dorë-për-dorë (në çmime të produkteve, shërbimeve) tek administrata shtetërore, e cila ka pësuar goditjen më të madhe”.

Në anketën e fuqisë punëtore në TM3 (2023), del se paga mesatare e deklaruar është nga 400 deri në 500 euro.

Në Komunë:

Profesional 3: mesatarja, koeficienti 3.9 x 110 euro (2024) = 429 euro

Profesional 2: mesatarja, koeficienti 4.9 x 110 (2024) = 529 euro

Profesional 1: mesatarja, koeficienti 5.62 x 110 (2024) = 618.2 euro

Ministri/Agjenci:

Profesional 3: mesatarja, koeficienti 4.0 x 110 euro (2024) = 440 euro

Profesional 2: mesatarja, koeficienti 5.1 x 110 (2024) = 561 euro

Profesional 1: mesatarja, koeficienti 5.7 x 110 (2024) = 627 euro

Pra, ja si nxirret mesatarja: merret paga e ministrit 16.4 × 110 (2024) = 1,804 dhe një nëpunësi teknik – 3.8 x 110 (2024) = 418 Mblidhen të dyja (1,804 + 418) = 2,222. I pjestojmë me numrin e pagave të llogaritura 2,222 ÷ 2 = 1,111.

“Për mesataren, ekziston tregimi, unë i kam dy bukë dhe jemi dy persona, në mesatare kemi nga një bukë, e në realitet, njëri ka mbetur i uritur”, ka shtuar tutje Besnik Tahiri./Telegrafi/