Fitorja 1-0 ndaj Komoreve e ka dërguar Ganën zyrtarisht në Kampionatin Botëror “SHBA-Kanada-Meksikë 2026”.

Falë golit vendimtar të Mohammed Kudus, “Yjet e Zeza” sigurojnë pjesëmarrjen e pestë në historinë e tyre në një Botëror — një arritje që vulos një periudhë rinovimi dhe besimi të rikthyer në futbollin ganez.


Kombëtarja e Ganas përfundoi fazën kualifikuese në mënyrë dominuese, me 25 pikë, sulmin më të mirë dhe mbrojtjen më të fortë të grupit.

Një sukses që mban firmën e përzgjedhësit Otto Addo, njeriut që dikur ka mbrojtur ngjyrat e Borussia Dortmund nga viti 1999 deri më 2005 dhe që tashmë po shkruan historinë si trajner.

Addo kishte udhëhequr Ganën edhe në “Katar 2022”, në mandatin e tij të parë si përzgjedhës, dhe tani e ka përsëritur suksesin, duke mposhtur edhe një rival të papritur si Madagaskari në garën për kualifikim. Në ndeshjen e fundit, fitorja minimale ndaj Komoreve mjaftoi për ta vulosur ëndrrën botërore.

Megjithatë, rruga nuk ka qenë aspak e lehtë. Gjatë viteve të fundit, Gana dështoi të kualifikohej për Kupën e Afrikës 2025, duke mos arritur në fazën finale për herë të parë që nga viti 2004. Pas asaj zhgënjimi, pati presion të madh dhe thirrje të shumta për dorëheqjen e Addos. Por ai refuzoi të largohej, duke zgjedhur të qëndronte në stol dhe të rindërtonte skuadrën. Sot, ajo zgjedhje është dëshmuar e drejtë dhe triumfuese.

Sipas ekspertëve, forca më e madhe e Ganas nuk qëndron vetëm te individët, por te kolektivi dhe organizimi. Përvoja evropiane e Addos, si lojtar dhe si trajner, ka sjellë disiplinë taktike dhe një mbrojtje solide, ku Mohammed Salisu udhëheq prapavijën, Thomas Partey është shtylla në mesfushë, ndërsa Kudus është frymëzimi në sulm.

Përpara tyre qëndron i pandalshmi Jordan Ayew, i cili në moshën 34-vjeçare vazhdon të shënojë dhe të udhëheqë me përvojë – 7 gola në këto kualifikime. Një kombinim force, përvoje dhe pasioni që e ka bërë Ganën një skuadër të balancuar dhe me identitet të qartë.

Kudus dhe Ayew – shtyllat e një ekipi me shpirt

Historikisht, Gana ka qenë vend i talenteve të pafundme, dhe në këtë brez nuk mungojnë as veteranët që udhëheqin të rinjtë. Jordan Ayew, me përvojën e tij ndërkombëtare, po përgatitet për Botërorin e katërt në karrierë, duke u shndërruar në një figurë ikonike të futbollit ganez.

Ndërsa Mohammed Kudus, ylli i Tottenham Hotspur, është lojtari që mbart mbi supe ëndrrën e re të vendit të tij. Ai është një “xholi” modern që mund të luajë si mesfushor ofensiv, si trekuartist apo si anësor.

Me teknikën e tij të rafinuar dhe goditjen e fortë me të majtën, Kudus është bërë pikë referimi për Addon dhe për gjithë skuadrën.

Në krah të tyre, po rritet edhe një brez i ri premtues. Ndër më të spikaturit është Kamaldeen Sulemana i Atalantës, i cili tashmë ka filluar të lërë gjurmë në Serie A dhe pritet të bëhet një nga pikat kyçe të së ardhmes së Ganas.

Otto Addo – nga futbollist në arkitekt të suksesit

Në qendër të këtij projekti qëndron Otto Addo, ish-mesfushori i Borussia Dortmund dhe Mainz, që tani udhëheq me një filozofi të qartë: futboll të organizuar, të guximshëm dhe me synim të lartë.

Ai ka jetuar Botërorin e vitit 2006 si lojtar – një edicion historik për Ganën, e cila u rendit e dyta në grupin e saj, pas Italisë së Marcello Lippit, dhe arriti në fazën e 1/8-ës së finales.

Tani, 19 vite më vonë, Addo synon ta përsërisë atë përvojë, por në një rol krejt tjetër – atë të strategut.

“Duam të kalojmë grupin dhe të shkojmë më larg se kurrë më parë”, është vizioni i tij.

Dhe me bazën që ka ndërtuar, ky nuk duket më një ëndërr e largët. Gana hyn në Botërorin 2026 me ambicie të qarta, me një grup të unifikuar dhe me besimin se ky brez mund të rilindë lavdinë e viteve të arta. /Telegrafi/

telegrafi sport app