Osmani takim me Owada: Si kryetar i GJND-së ka drejtuar këtë institucion në një prej momenteve më të rëndësishme për Kosovën

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim profesorin e njohur të së drejtës ndërkombëtare dhe ish-kryetarin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), Hisashi Owada.
Ky takim vjen pas një vizite të mëparshme të Presidentes Osmani në Japoni, ku ishte zhvilluar një bisedë miqësore mes tyre.
Presidentja e cilësoi pritjen e profesorit Owada në zyrën e saj si një nder të veçantë, duke theksuar figurën e tij të jashtëzakonshme në fushën e drejtësisë ndërkombëtare dhe angazhimin e tij të palodhshëm në promovimin e paqes globale.
Gjatë takimit, Osmani shprehu mirënjohjen e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për rolin historik të profesorit Owada, i cili si kryetar i GJND-së kishte udhëhequr gjykatën në një nga momentet më të rëndësishme për shtetin e Kosovës – dhënien e opinionit këshillëdhënës më 22 korrik 2010, ku u konfirmua se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Presidentja vlerësoi kontributin e Owada-s jo vetëm për çështjen e Kosovës, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të të drejtës ndërkombëtare dhe përpjekjet globale për paqe e stabilitet.
Në fund të takimit, Osmani e uroi profesorin Owada për marrjen e titullit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës, duke theksuar se Kosova do të mbetet përherë mirënjohëse për mbështetjen dhe vizionin e tij.






































