Osmani shpërndau Kuvendin, Murati: Vendim anti-kushtetues që bllokoi procese jetike, pse ky nxitim?

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar lidhur me shpërndarjen e Kuvendit, duke thënë se sipas Kushtetutës kishte ende kohë që deputetët të vazhdonin punën dhe të miratonin një sërë vendimesh të rëndësishme për vendin.
Murati theksoi se brenda afatit prej 60 ditësh që parasheh Neni 82 i Kushtetutës, në Kuvend do të mund të votoheshin marrëveshje ndërkombëtare, ligje të rëndësishme dhe reforma të tjera.
Sipas tij, vetëm në seancën e së premtes që lamë pas ishin planifikuar të votoheshin marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej rreth 121 milionë eurosh.
Ai shtoi se në rend dite do të mund të ishin edhe ligjet që lidhen me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Kosovën, miratimi i të cilave do të mundësonte lirimin e një pjese të mjeteve nga pakoja prej 882 milionë eurosh.
Murati përmendi gjithashtu edhe rishikimin e buxhetit, ligje dhe reforma të tjera me rëndësi jetike për vendin, si dhe mundësinë e procedimit të ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit me votë direkte nga qytetarët.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe do të mund të arrihej edhe një marrëveshje konsensuale për presidentin, duke shmangur kështu një ngërç institucional.
“Mirëpo në vend të këtyre, Kuvendi u shpërnda me dekret kundër-kushtetues, përmes të cilit përfaqësuesve të popullit iu mohua e drejta të kryenin punën e tyre”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai ka ngritur gjithashtu pyetjen se pse u bë një veprim i tillë me nxitim.






















































