Organizata “Avonet” i kërkon zyrtarisht MAPL-së anulimin e mbledhjes së fundit KK-së në Shtime

Organizata joqeveritare “Avonet” i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për ta anuluar mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Shtime më 3 prill të këtij viti. Kjo, për arsyeje se ftesat për kuvendarët nuk janë dërguar më herët se 7 ditë të punës siç e kërkon ligji, andaj në këtë mbledhje janë marrë vendime të rëndësishme për dhënien e pronave në shfrytëzim. Sipas kësaj organizate, në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar dhënia e pronave në shfrytëzim derisa mbledhja ka pasur shkelje procedurale.
Lidhur me këtë çështje, ditë më parë ka pasur reagime edhe nga monitoruesit e kuvendit Komunal të Shtimes nga organizata “YAHR”, të cilat i ka trajtuar Telegrafi.
Ndërkaq, organizata “Avonet”, në shkresën që ua ka dërguar MAPL-së, ka sqaruar në detaje se pse duhet të anulohet mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal në Shtime.
“Me anë të kësaj kërkese, ju drejtohemi për shqyrtim dhe veprim ndaj mbledhjes së mbajtur nga Kuvendi Komunal i Shtimes më datë 03.04.2025, në të cilën janë kryer shkelje të qarta procedurale, në kundërshtim me kërkesat e normës së nenit 43 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale. Sipas normës së nenit 43, paragrafi 3, të gjithë anëtarët e Kuvendit duhet të njoftohen me shkrim, shtatë (7) ditë pune para mbajtjes së seancës, duke përfshirë informacionin e plotë mbi datën, kohën, vendin, rendin e ditës dhe materialet e mbledhjes”, thuhet në shkresën e “Avonet”-it dërguar MAPL-së.
Sipas kësaj organizate, duke u bazuar në gjendjen faktike rezulton se, njoftimi i parë për mbledhjen e përmendur është publikuar më 26.03.2025 në webfaqe, edhe pse në ftesë figuron data 24.03.2025, gjë që tregon se afati ligjor prej shtatë ditësh nuk është zbatuar.
“Materialet thelbësore për mbledhjen nuk u publikuan brenda afatit të kërkuar, pasi në webfaqe figuron data 28.04.2025. Këto veprime përbëjnë shkelje të pakontestueshme të procedurës të njoftimit sipas ligjit, duke bërë të pavlefshme të gjithë vendimet e marrë në mbledhjen e 03.04.2025. Temat e trajtuara në këtë mbledhje përfaqësojnë çështje kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtë të komunës, duke prekur drejtpërdrejt nevojat dhe interesat e qytetarëve. Diskutimet kanë mbuluar çështje strategjike që kërkojnë vëmendje të veçantë, duke përfshirë planifikimin urbanistik, menaxhimin e burimeve financiare, dhe përmirësimin e shërbimeve publike, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e jetës së përditshme për banorët e Komunës së Shtimes”, thuhet më tej në shkresë.
Sipas “Avonet”, çdo pikë e rendit të ditës kërkon një përgatitje të detajuar, që siguron një debat të mirë-informuar dhe marrjen e vendimeve të qëndrueshme. Kohëzgjatja e shkurtër midis shpalljes së njoftimeve dhe mbajtjes së mbledhjes ka krijuar një situatë të paqartë dhe të vështirë për përgatitje të duhur. Duke mos pasur kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar informatat, anëtarët e KK-së nuk mund të përfitojnë në mënyrë të duhur nga njohuritë e tyre, gjë që rezulton në një vendimmarrje të pafavorshme dhe potencialisht të parregullt”, thuhet më tej në shkresë.
Sipas kësaj organizate, pikat e rendit të ditës, të cilat mbartin çështje të rëndësishme për trajtimin strategjik të problematikave komunale, kërkojnë jo vetëm një analizë të kujdesshme, por edhe një koordinim të ngushtë midis institucioneve përkatëse.
“Kur njoftimet dhe materialet e mbledhjes nuk përgatiten në mënyrë të duhur dhe në kohë të mjaftueshme, transparenca dhe llogaridhënia publike vihet në pikëpyetje. Kjo situatë, përtej shkeljes së procedurave të parashikuara nga ligji, krijon një ambient të papërshtatshëm për të mbajtur seanca konstruktive dhe të bazuara në parime demokratike. Në një kontekst të tillë, respektimi i afateve ligjore është thelbësore për të siguruar që çdo anëtar i Kuvendit të ketë mundësinë e duhur për të analizuar materialet e parashtruara, për të bërë kërkime të nevojshme dhe për të mbështetur në mënyrë të informuar pozicionin e tij ose saj në debat”, thuhet më tej në shkresë.
Sipas “Avonet”-it, duke u mbështetur në këto elemente dhe gjendje faktike, dhe duke konsideruar rëndësinë e respektimit të normave të qarta ligjore që garantojnë një proces vendimmarrës transparent dhe të pranueshëm për interesin e qytetarëve të Komunës së Shtimes, organizata “Avonet” kërkojnë që të shqyrtohet ligjshmëria e mbledhjes së mbajtur më 03.04.2025.
“Pastaj të konstatohen shkeljet procedurale në bazë të nenit 43 të Ligjit Nr. 03/L-040, të anulohen vendimet e marra në këtë mbledhje dhe të kërkohet përsëritja e kësaj seance në përputhje me dispozitat ligjore. Kërkojmë që brenda afatit ligjor të ndërmerrni masat e nevojshme vendosjen e ligjshmërisë dhe të na informoni mbi hapat që do të ndiqen për sigurimin e një procesi vendimmarrës të drejtë dhe demokratik”, thuhet në fund të shkresës.
Telegrafi, ka kontaktuar me Lorik Krasniqin nga organizata “Avonet” i cili ka sqaruar se MAPL-ja duhet ta përsëritë mbledhjen e fundit të Kuvendit në Shtime dhe t’i anulon të gjitha vendimet që janë marrë në mbledhjen e fundit për shkak të shkeljeve procedurale.
“Ne si organizatë i jemi drejtuar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal me një kërkesë për shqyrtimin e ligjshmërisë së mbledhjes së Kuvendit Komunal të Shtimes, të mbajtur më datë 3 prill 2025. Ne konsiderojmë se gjatë thirrjes dhe mbajtjes së kësaj mbledhjeje janë kryer shkelje të qarta të procedurave ligjore të përcaktuara me nenin 43 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale. Në kërkesën drejtuar MAPL-së, ne kemi argumentuar se për shkak të shkeljeve procedurale, që ndërlidhen me afatin ligjor për thirrjen e seancës, të gjitha vendimet e marra në atë mbledhje janë të pavlefshme (nule) dhe duhet të anulohen, ndërsa seanca të përsëritet në përputhje me ligjin”,ka thënë Krasniqi.
Në anën tjetër, me gjithë përpjekjet, komuna e Shtimes dhe MAPL-ja nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Telegrafit lidhur me këtë çështje./Telegrafi/





















































