"Ore zotëri, mos e përkëdhel kalin" – autori pranon se qëlloi turistin në sy të vajzës që po bënte foto në Berat

Fashikulli hetimor hedh dritë mbi rrethanat e vrasjes së turistit shqiptar me banim në Angli, Keli Hoxha, ngjarje e ndodhur më 28 tetor në Berat.
Sipas dosjes, autori i dyshuar është 63-vjeçari Kristo Memë, pronar i kalit që po prekej nga turisti dhe familja e tij.
Në dëshminë e tij, Memë tregon se e kishte paralajmëruar Hoxhën që të mos e prekte kalin, duke pretenduar se ishte bezdisur nga shumë vizitorë atë ditë. Ai përshkruan se situata u tensionua pas disa fjalëve të shkëmbyera, duke thënë se veproi në “gjaknxehtësi”.
“Nuk dua të justifikohem për atë që bëra. Por më vret fjala. Kur më fyejnë, unë nevrikosem shumë,” thuhet në dëshminë e tij të administruar në dosje. Memë, i cili më herët ishte dënuar për një rast tjetër vrasjeje me 22 vite burg, por nuk i kishte vuajtur për shkak të parashkrimit, rrëfen se reagoi pas fjalëve që pretendon se dëgjoi nga turisti.
Në dosje jepen edhe dëshmitë e familjarëve të viktimës. Bashkëshortja e Hoxhës, Vjollcë Haxhia, rrëfen se gjithçka nisi kur vajza e tyre pa një kalë të bardhë të lidhur dhe iu afrua. Sipas saj, aty nuk ishte askush pranë dhe vajza shprehu keqardhje që kafsha ishte e lidhur.
“Vajza dhe Keli po e preknin kalin dhe në atë moment doli i zoti: ai tha ‘mos e prekni, nëse do ta prekësh duhet ta paguash’. Keli i tha ‘s’ka gjë, ne vetëm e prekëm’. Personi u acarua dhe filloi të shante,” ka deklaruar ajo. Ajo shton se më vonë, ndërsa po largoheshin, situata u përshkallëzua dhe Hoxha u godit. Më pas, ai i kishte kërkuar të thërriste ambulancën.
Hetimet për rastin vazhdojnë, ndërsa policia dhe prokuroria po shqyrtojnë të gjitha provat dhe dëshmitë e mbledhura për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, raporton tch.


































