Obama për tarifat e Trumpit: Paramendoni çka do të kishte ndodhur me mua po të veproja në këtë mënyrë
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ka folur në lidhje me politikat e fundit tarifore të presidentit aktual amerikan, Donald Trump.
Ai u shpreh se ndihet i shqetësuar me disa veprime që, sipas tij, nuk do të ishin toleruar nëse do të ishin ndërmarrë nga administrata e tij.
Obama theksoi se veprime të tilla janë të papranueshme për një udhëheqës të Shteteve të Bashkuara, duke nxjerrë në pah dallimet e qarta mes mënyrës së udhëheqjes së tij dhe asaj të Trumpit.
“Imagjinoni sikur unë të kisha bërë ndonjë nga këto. Imagjinoni sikur unë të kisha hequr akreditimet e Fox News nga korpusi i gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë”, tha ish-lideri amerikan, duke e shprehur habinë për reagimin e opozitës ndaj këtyre veprimeve të presidentit Trump.
Ai vuri në dukje se një veprim i tillë do të ishte konsideruar një shkelje e rëndë e normave demokratike dhe të lirisë së shtypit, të cilat janë themelore për funksionimin e një shoqërie të lirë.
“Është e pamundur të imagjinohet se të njëjtat parti që janë të heshtura tani do të kishin toleruar një sjellje të tillë nga unë, ose nga shumë nga pasardhësit e mi,” pohoi Obama, duke iu referuar heshtjes së disa grupeve politike dhe individëve, të cilët nuk kanë reaguar në mënyrë të njëjtë ndaj veprimeve të Trumpit siç do të kishin reaguar ndaj tij ose administratave të mëparshme.
Situata e krijuar pas vendosjes së tarifave që ndryshojnë nga 10 deri 50 për qind, ka nxitur shumë diskutime rreth ndryshimeve në politikën amerikane dhe tolerancës ndaj sjelljeve të presidentëve të ndryshëm në pushtet. /Telegrafi/






























