Norvegjia dhuron mbi 180 mijë doza të vaksinës anti-COVID për Kosovën

Ministria e Jashtme e Norvegjisë ka bërë të ditur se dhuron 180 mijë doza të vaksinës anti-COVID për Republikën e Kosovës.
Përmes Twitter-it është bërë e ditur se kjo është bërë falë bashkëpunimit të mirë me të dërguarin special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Kosova mbështetet nga Ekipi i Evropës. Norvegjia dhuron më shumë se 180 mijë doza të vaksinës AstraZeneca në Kosovë. Bashkëpunim i mirë me Miroslav Lajçak dhe institucionet e BE-së”, thuhet në njoftim.
Në Kosovë deri më tani, të paktën një dozë të vaksinës e kanë pranuar 141,008 persona.
Një javë më parë, në Kosovë ka nisur fushata e vaksinimit masiv kundër coronavirusit.
Në muajin maj, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se kanë nënshkruar një kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, për blerjen e mbi 1 milion dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech.
Këto vaksina nuk dihet se kur do të arrijnë.
Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,673 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,253 kanë vdekur. /Telegrafi/







































