Nkunku pritet të largohet nga Chelsea, gjiganti evropian po mendon transferimin e tij

Christopher Nkunku mund të jetë në prag të një rikthimi të bujshëm te Paris Saint-Germain, klubi ku ai u formua si futbollist.
Sipas asaj që raporton The Sun, drejtuesit e PSG-së po shqyrtojnë mundësinë për ta rikthyer francezin në 'Parc des Princes' gjatë afatit kalimtar të verës.
Nkunku nuk ka pasur ndikimin e pritur te Chelsea për shkak të lëndimeve dhe mungesës së minutave, ndaj ai po konsideron largimin nga klubi londinez.
Interesimi për shërbimet e tij është i madh, në Angli përmenden emra si Arsenal, Liverpool, Manchester United dhe West Ham, që po e ndjekin nga afër situatën.
Nga Bundesliga, edhe Bayern Munich shihet si opsion serioz, por transferimi i mundshëm i Florian Wirtz mund të ndryshojë prioritetet e bavarezëve.
Rikthimi te PSG do të kishte edhe simbolikën e veçantë për Nkunkun, i cili u largua nga Parisi në kërkim të më shumë hapësirës dhe u afirmua në Gjermani.
Në ditët dhe javët në vijim pritet të ketë më shumë qartësi rreth të ardhmes së sulmuesit 26-vjeçar, i cili është ende një nga talentet më të mëdhenj të futbollit francez. /Telegrafi/










































