Një burrë nga Connecticut, i cili dyshohet se ishte mbajtur i burgosur nga njerka e tij për 20 vjet, arriti të arratisej duke i vënë flakën dhomës së vogël ku mbahej.

Autoritetet reaguan ndaj zjarrit dhe shpëtuan 32-vjeçarin e rraskapitur nga dhoma. Viktima e supozuar peshonte vetëm 30 kilogramë pas arratisjes dhe u trajtua për thithje tymi.


Burri pranoi se kishte ndezur zjarrin pasi kishte përjetuar vite të tëra "abuzim të vazhdueshëm, urie, neglizhencë të rëndë dhe trajtim çnjerëzor", njoftoi policia e Waterburyt, Connecticut.

Njerka e tij, e akuzuar për mbajtje në robëri dhe për urinë ekstreme të burrit, është akuzuar për rrëmbim dhe mizori. Ajo i ka mohuar akuzat, shkruajnë mediat.

Prokurorët pretendojnë se për vite me radhë ai merrte vetëm një sanduiç dhe dy shishe të vogla ujë në ditë. Atij i lejohej të dilte nga dhoma vetëm dy orë në ditë për të kryer punë shtëpie nën mbikëqyrjen e njerkës.

Duke përdorur dezinfektues duarsh, letër dhe një çakmak, ai ndezi zjarrin me vetëdijen se mund të vdiste, tha prokurori në gjykatë të mërkurën.

Njerka e tij, Kimberly Sullivan (56), ishte në shtëpi në momentin e zjarrit, por nuk foli me autoritetet kur ato mbërritën. Avokati i saj tha se akuzat ishin të rreme.

"Ai nuk ishte i mbyllur në dhomë. Nuk ishte i ndaluar në asnjë mënyrë. Ajo i siguronte ushqim dhe strehim. Është e habitur nga këto akuza", tha avokati Ioannis Kaloidis.

Kur u gjet, autoritetet thanë se ai kishte një indeks të masës trupore (BMI) prej 11. Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë thotë se një indeks i shëndetshëm është midis 18.5 dhe 24.9. Policia tha se gjatë robërisë, burri i paidentifikuar nuk kishte marrë kujdes mjekësor apo dentar. /Telegrafi/