Njëri hip se të vrava, tjetri zbrit se të vrava: Nga t’ia mbaj unë?

- Je vaksinuar - pyet gazetarja studentët para fakultetit
- Jo!
- Përse?
- Sepse nuk dua të vaksinohem me detyrim!
Aha, nuk do të vaksinohet me detyrim. Po vaksinohu pa detyrim mor bir, në dorë e ke.
- Nuk dua fare të vaksinohem - thotë dikush tjetër në një studio televizive - duhet të më respektoni vendimin.
Njëri madje kishte regjistruar edhe dialogun me pedagogen, të cilës i thoshte se s’ke asnjë të drejtë të më kërkosh të bëj vaksinën ose të dal jashtë.
- Po mirë - i thotë zyrtarja e Ministrisë së Shëndetësisë - ta respektojmë vendimin, atëherë bëj PCR-në çdo javë.
- Po ajo kushton
- Po atëherë bëj vaksinën që nuk kushton fare!
- Po të drejtat e njeriut?
Hëm. Këtu ngec muhabeti. Nga një popull me vetëm detyrime dhe asnjë të drejtë, më duket se kemi kaluar në një popull me vetëm të drejta e asnjë detyrim.
Pedagogët janë në hall. Të hapin derën, do t’i akuzojnë se po shkelin masat; të mbyllin derën, do t’i akuzojnë se po lënë studentët pa mësim.
Si e tha Gjinoja i shkretë atë shprehjen: “Njëra thotë hip se të vrava, tjetra thotë zbrit se të vrava. Nga t’ia mbaj unë”?
















































