LAJMI I FUNDIT:

Një universitet francez ofron “azil shkencor” për talentet amerikane: Filloi migrimi i trurit!

Një universitet francez ofron “azil shkencor” për talentet amerikane: Filloi migrimi i trurit!
Ilustrim

Nga: Alexander Hurst / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Brenda gjashtë javësh, “çmontimi i planifikuar i menjëhershëm” i shkencës amerikane nga administrata Trump, ka qenë po aq i shpejt dhe i thellë sa edhe prishja e aleancave dhe reputacionit ndërkombëtar të ShBA-së; në shkencat e tokës, parashikimin e motit dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm, kërkimin mjekësor (përfshirë kërkimin për kancerin), NASA. Në mënyrë më të gjerë janë shkurtuar grantet akademike, janë pezulluar ose futur në rishikim për shkak të një liste fjalësh të ndaluara (duke përfshirë termat si “politik” dhe “grua”).

Lexo po ashtu nga Alexander Hurst: Taylor Swift, Papa, Putini: Kujt i beson në epokën e gënjeshtrës dhe inteligjencës artificiale?

Kjo ka detyruar universitetet, në gjithë vendin, të reduktojnë pranimin e studentëve të doktoraturës, studentëve të mjekësisë dhe studentëve të tjerë të nivelit të lartë; të përcaktohen për ngrirje të punësimeve dhe madje të tërheqin disa oferta pranimi. Më shumë se 12,500 qytetarë amerikanë që ndodhen aktualisht në vende të tjera me bursat kërkimore “Fulbright”, e kanë pasur financimin e tyre të pezulluar, bashkë me 7,400 studiues të huaj që ndodhen aktualisht në ShBA, duke i lënë ata në vështirësi financiare. Dhe, kur bëhet fjalë për një studiues të huaj që viziton ShBA-në, ndodhin rastet e ndalimit të tij dhe refuzimit të hyrjes.


Edhe më shqetësues është fakti që administrata ka vënë në shënjestër disa universitete specifike, përfshirë tërheqjen e 400 milionë dollarëve nga Universiteti Kolumbia [Columbia] dhe 800 milionë dollarëve nga Universiteti Xhon Hopkins [John Hopkins], duke e detyruar këtë të fundit të pushojë dy mijë punonjës. Për më tepër, arrestimi dhe ndalimi ligjërisht i dyshimtë i Mahmoud Khalilit dhe anulimi i kartës së tij të gjelbër pritet të ketë një efekt frikësues te studentët dhe kërkuesit e huaj shkencorë që ndodhen tashmë në ShBA – dhe te dëshira e të tjerëve për të shkuar atje në të ardhmen. Siç shkruan profesoresha gjermano-britanike Christina Pagel nga Kolegji Universitar i Londrës [University College London]: “Ky nuk është kaos”. Përkundrazi, sulmet ndaj kërkimit duket se ndjekin tri objektiva kryesore: të detyrojnë përputhjen e shkencës me ideologjinë shtetërore; të minojnë pavarësinë akademike dhe të shtypin kundërshtimin; si dhe të mbështesin objektivat gjeopolitikë dhe ekonomikë.

Raketat Saturn V që çuan astronautët amerikanë në hapësirë – dhe më pas në Hënë – në vitet ‘60 të shekullit XX, ekzistojnë falë operacionit [Paperclip] që solli në ShBA 1,500 shkencëtarë nazistë (si Wernher von Braun, ish-drejtor i Qendrës Hapësinore Marshall të NASA-s). Në javën pas zgjedhjes së Donald Trumpit, u shtrua pyetja nëse filozofi gjerman Jürgen Habermas do ta realizonte pa dashje dëshirën e tij (për një Evropë të bashkuar përballë ShBA-së), duke sugjeruar që Evropa të pozicionohej për të përmbysur emigrimin transatlantik të trurit, duke mirëpritur studiues dhe shkencëtarë amerikanë të arsimuar, që me siguri do të ishin në shënjestër. Këtë herë, nuk ka dilema morale, as të kaluar naziste për t’u anashkaluar; ka vetëm përfitime në një botë ku BE-ja duhet të mbajë gjallë shoqërinë liberale demokratike, së bashku me Kanadanë në Perëndim dhe Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re në Lindje.

Deri diku, qeveritë dhe institucionet e BE-së e kanë kapur tashmë këtë mundësi. Për shembull, më 7 mars, Universiteti Iks-Marsejë [Aix-Marseille] njoftoi programin Vend i Sigurt për Shkencën, një nismë trevjeçare me 15 milionë euro për të sjellë 15 shkencëtarë amerikanë që punojnë në fushat e klimës, shëndetësisë dhe astrofizikës në kampusin e vet. Sipas një zëdhënësi të universitetit, janë pranuar mbi 60 aplikime, 30 prej tyre brenda 24 orëve të para. Universiteti ka bërë të ditur se është në kontakt me universitetet e tjera dhe me qeverinë franceze për të zgjeruar konceptin e “azilit shkencor” në nivel kombëtar dhe evropian, dhe për të ndihmuar në mirëpritjen dhe zhvendosjen e studiuesve të ndryshëm.

Qeveria federale e ShBA-së shpenzoi rreth 195 miliardë dollarë [180 miliardë euro] për të gjitha kërkimet dhe zhvillimet [Research and Development – R&D] në vitin 2024. Kjo shifër tingëllon mbresëlënëse, por le ta vendosim në një kontekst më të gjerë. Deri në vitin 2023, PBB-ja e ShBA-së ishte 27.7 trilionë dollarë [25.52 trilionë euro], ndërsa ajo e BE-së ishte 26.5 trilionë dollarë [24.41 miliardë euro], kur llogaritet sipas paritetit të fuqisë blerëse. Të marra së bashku, të dyja ekonomitë kanë përmasë afërsisht të njëjtë. Le të paramendojmë që BE-ja vendos realisht para në tavolinë për të tërhequr shkencëtarë nga ShBA-ja drejt kontinentit. Nuk do të kishte nevojë të barazonte 195 miliardë dollarët për euro, pjesërisht sepse më shumë se gjysma e kësaj shume në ShBA shkon për R&D-në ushtarake, dhe BE-ja tashmë po rrit ndjeshëm shpenzimet për mbrojtje. Pra, le të themi se do të zgjidhej një shumë e duhur, e rrumbullakosur që përshtatet mirë për tregime, rrëfime dhe tituj, dhe që do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar shkurtimet që po ndodhin në ShBA.

Një shumë prej 25 miliardë eurosh në vit do të përbënte pak më pak se 0.1 për qind të PBB-së së BE-së, dhe akoma më pak nëse përfshihen Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Zvicra (të cilat marrin pjesë në programin e financimit të kërkimeve Horizonti i Evropës/Horizon Europe). Aktualisht, shpenzimet për R&D-në në BE mbeten prapa ShBA-së – dhe një raport i porositur së fundmi nga departamenti i kërkimeve i Komisionit Evropian rekomandoi më shumë se dyfishimin e buxhetit shtatëvjeçar prej 95 miliardë eurosh të Horizontit të Evropës. Ajo që unë po propozoj shkon më larg, po, por jo vetëm që është plotësisht brenda mundësive të BE-së për ta përballuar, por do ta shpërblente veten: kërkimet kanë treguar se shpenzimet për R&D-në joushtarake kanë sjellë një kthim prej 200 për qind për ShBA-në gjatë periudhës pas Luftës së Dytë Botërore.

Por, le ta çojmë edhe më tej imagjinatën dhe të sugjerojmë se BE-ja mund të tërheqë jo vetëm studiues amerikanë, por edhe universitetet amerikane. Ekipi Kërkimor i Arsimit Ndërkufitar [Cross Border Education Research Team] ka raportuar se universitetet amerikane mbajnë 29 kampuse në Evropë (dhe shumë më tepër nëse përfshihen qendrat dhe programet studimore jashtë vendit). Dhjetëra kolegje dhe universitete amerikane zotërojnë fonde të mëdha që shpesh shpenzojnë qindra miliona dollarë për ndërtesa të reja. Nëse ndërhyrjet në ShBA – si kërkesat e fundit ndaj Universitetit Kolumbia – për studimet, financimet dhe studentët e huaj bëhen më të shpeshta, atëherë ideja e kampuseve të dyta në Evropë mund të bëhet gjithnjë e më joshëse. /Telegrafi/