Një studim i ri nga studiues në Spanjë zbuloi se një “terapi e trefishtë” eliminon tumoret pankreatike te minjtë.

Kanceri i pankreasit është një nga tumoret më agresivë me prognozën më të keqe, pjesërisht për shkak të shfaqjes së shpejtë të rezistencës ndaj trajtimit.


Por një studim i ri nga Qendra Kombëtare Spanjolle e Kërkimit të Kancerit (CNIO) zbulon se është e mundur të eliminohen tumoret pankreatike te minjtë dhe të parandalohen ato nga rikthimi duke përdorur terapi të kombinuar të trefishtë.

"Këto studime hapin një rrugë për të hartuar terapi të reja të kombinuara që mund të përmirësojnë mbijetesën e pacientëve me adenokarcinomë duktale pankreatike", thanë autorët në një deklaratë.

"Këto rezultate përcaktojnë drejtimin për zhvillimin e provave të reja klinike”, shtoi ajo, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

Sipas një shkrimi në një portal tjetër, studiuesit hartuan një strategji që synon tre aspekte kryesore të këtij kanceri: mutacionin që inicion tumorin (të quajtur KRAS) dhe dy proteinat e përfshira që nxisin përhapjen, mbijetesën dhe rritjen e këtij kanceri (të quajtura EGFR dhe STAT3).

Ndërkohë, shkrimi i Euronews vë në pah se në Spanjë, më shumë se 10,300 raste të këtij lloji kanceri diagnostikohen çdo vit, me një shkallë mbijetese pesëvjeçare prej më pak se 10 përqind.

Megjithatë, edhe pse rezultati mund të jetë një moment historik në luftën kundër kancerit, autorët e studimit dhanë paralajmërim.

"Ne nuk jemi ende në gjendje të kryejmë prova klinike me terapi të trefishtë. Vetë autorët paralajmërojnë se optimizimi i këtij kombinimi për pacientët do të jetë një proces kompleks, megjithëse janë të bindur se gjetja do të përcaktojë kursin për testet e ardhshme", thanë ata. /Telegrafi/