Garuesi gjerman Marc Offenbacher humbi mundësinë për të fituar 125 mijë euro në kuizin e njohur televiziv Kush do të bëhet milioner?”, pasi dështoi në një pyetje të thjeshtë për dashamirësit e futbollit.

Offenbacher arriti deri në pyetjen e 13-të, vetëm tre përgjigje larg çmimit prej një milion eurosh. Megjithatë, siç e pranoi vetë në studio, ai “nuk është tifoz i futbollit”, gjë që i kushtoi shtrenjtë në fund.


Pyetja fatale ishte

“Cili është rezultati përfundimtar më i zakonshëm në finalet e Kupës së Botës?”
Opsionet ishin: A) 1:0 B) 2:1 C) 3:1 D) 4:2

Pasi përdori ndihmën 50:50, në ekran mbetën vetëm dy mundësi – 2:1 dhe 4:2. Edhe pas kësaj, Marc nuk ishte i sigurt, ndaj përdori ndihmën tjetër – këshillën e një anëtari nga publiku.

Pas një diskutimi të shkurtër, ai zgjodhi përgjigjen B – 2:1, e cila rezultoi e gabuar.


Prezantuesi Günther Jauch sqaroi më pas se përgjigjja e saktë ishte “4:2”, një rezultat që, megjithëse i rrallë, është regjistruar katër herë në historinë e finaleve të Kupës së Botës.

  • 1930 – Uruguai 4:2 Argjentina
  • 1938 – Italia 4:2 Hungaria
  • 1966 – Anglia 4:2 Gjermania Perëndimore
  • 2018 – Franca 4:2 Kroacia

Në vend që të largohej me 125 mijë euro – ose të paktën 64 mijë euro po të kishte hequr dorë – Marc u kthye në shtëpi me vetëm 500 euro, si çmim ngushëllimi. /Telegrafi/

telegrafi sport app