Edhe gjatë këtij muaji, Teatri i Qytetit të Gjilanit sjell një repertor të pasur dhe të larmishëm për artdashësit e teatrit.

Me shfaqje të ndryshme, që premtojnë të sjellin emocione të forta nga skena deri tek publiku, teatri nis muajin me shfaqjen “Jam unë Ajo”.


Kjo shfaqje që do të ngjitet në skenë me 5 maj, trajton një temë të ndjeshme sociale, duke shpalosur historinë e dy grave që përballen me sfidat e depresionit pas lindjes. Në role kryesore do të jenë aktoret Valmira Thaçi & Dituri Neziraj, me regji të Erson Zymberit.

Në datat 6–8 maj, Teatri do të jetë mikpritës i aktivitetit “Europe House”, në kuadër të Ditës së Evropës, ku do të shfaqen filma evropianë të përzgjedhur nga Varg e Vi.

Më 12 maj, në nderim të kompozitorëve gjilanas Isa Jakupi dhe Izet Kallaba, do të mbahet një koncert unik që sjell trashëgiminë muzikore të tyre.

Një ditë më pas, më 13 maj, në skenë rikthehet komedia e errët “Togeri nga Inishmori” e autorit Martin McDonagh, në regji të Shkëlzen Berishës.

Shfaqja “God Bless America” me autor dhe regjisor Fatos Berishën do të jetë në skenë më 15 dhe 16 maj, ndërsa më 21 maj ajo do ta përfaqësojë teatrin në Prishtina International Theatre Festival – AAB.

Më 19 maj, Teatri Kombëtar i Kosovës sjell në Gjilan shfaqjen “ART” të Yasmina Reza, në regji të Bashkim Ramadanit. Ndërsa më 22 maj, Teatri i Qytetit të Preshevës prezantohet me “Një dorëzim” nga Martin McDonagh, dhe më 23 maj, Teatri “Muharrem Qena” nga Mitrovica me shfaqjen “Provinca” të Ard Islamit.

Më 24 maj, publiku do të ketë rastin të shijojë koncertin e Korit “Siparantum”, nën dirigjimin e Memli Kelmendit.

Muaji mbyllet më 27 dhe 28 maj me një nga shfaqjet më të vlerësuara të vitit – “Djali” nga Florian Zeller, në regji të Erson Zymberit, një prodhim nga Anamour dhe Ernest Zymberi.

Maji në Teatrin e Gjilanit vjen si një dëshmi e përkushtimit artistik, e pasionit skenik dhe bashkëpunimit të thelluar me institucione të tjera kulturore, duke ofruar për publikun një përvojë të pasur artistike. /Telegrafi/