“Një karrierë si asnjë tjetër" - Bayern Munich i thotë lamtumirë Thomas Mullerit

Bayern Munich i ka dhënë lamtumirën njërit prej emrave më të mëdhenj në historinë e klubit: Thomas Müller.
Pas më shumë se një dekade e gjysmë besnikëri dhe suksesi, lojtari legjendar largohet si lojtar i lirë, duke përmbyllur një karrierë të jashtëzakonshme me 756 paraqitje në fanellën bavareze.
Ndeshja e tij e fundit erdhi në çerekfinalen e Kupës së Botës për Klube, ku Bayern Munich u eliminua nga Paris Saint-Germain me rezultat 0-2. Edhe pse fundi nuk ishte i ëndërruari, largimi i Müllerit shënon mbylljen e një epoke të lavdishme për “Rekordmeister”.
Klubi i Bayern Munich i dha lamtumirën yllit të vet në rrjetet sociale, duke ndarë një foto të Müllerit të rrethuar nga të gjitha trofetë e fituara gjatë karrierës së tij me klubin, të shoqëruar me një mesazh emocionues.
“Thomas Müller. 13 herë kampion i Gjermanisë. 6 herë fitues i Kupës së Gjermanisë. 2 herë fitues i Ligës së Kampionëve dhe i Kupës së Botës për Klube. 8 Superkupa Gjermane. 2 Superkupa UEFA. Një karrierë si asnjë tjetër. Ne përulemi para teje, Thomas!”, ka shkrua klubi bavarez.
Muller, i njohur për stilin e tij unik, për lojën inteligjente dhe për aftësinë për të qenë vendimtar në momentet kyçe, ka qenë një shtyllë e Bayern Munich për më shumë se 15 vite. Ai mbetet një ikonë e vërtetë jo vetëm për klubin, por edhe për futbollin gjerman në tërësi.
Ende nuk është konfirmuar se cili do të jetë destinacioni i radhës për 34-vjeçarin, por një gjë është e sigurt – trashëgimia e tij në Allianz Arena do të mbetet e përjetshme. /Telegrafi/

















































