eksperti-banner

Një festë e ditëlindjes së 16-të në qytetin Dadeville të Alabamës, u shndërrua në një masakër kur katër persona u vranë dhe 32 u plagosën mbrëmjen e së shtunës.

Të shtënat ndodhën në qendër të qytetit Dadeville. Midis të vrarëve është Philstavious Dowdell - një lojtar premtues i futbollit amerikan dhe vëllai i vajzës Alexis që festonte ditëlindjen, që i tha BBC-së se vëllai i saj i shpëtoi jetën dhe se ai vdiq në krahët e saj.


Siç shkruan BBC, 18-vjeçari Phil Dowdell erdhi për të marrë motrën e tij pasi dëgjoi se dikush në festë kishte një armë.

Nëna e saj, LaTonya Allen, dëgjoi të njëjtën gjë, kështu që ndezi dritat në dhomën ku po mbahej festa, shkoi te DJ dhe pyeti nëse dikush kishte armë zjarri dhe i kërkonte të braktiste festën.

Por kur askush nuk foli, ajo fiku dritat. Jo shumë kohë më vonë, u dëgjuan të shtënat.

“Papritmas dëgjuam të shtëna dhe pamë të gjithë duke vrapuar drejt derës dhe disa njerëz që binin dhe bërtisnin”, tha Alexis për BBC, duke shtuar se vëllai i saj e shtyu përtokë.

Ajo arriti të arratisej nga salla dhe të fshihej jashtë ndërtesës nga frika e sulmuesve. Kur gjithçka përfundoi, ajo u kthye brenda për të kërkuar vëllanë e saj dhe e gjeti atë të shtrirë të plagosur në dysheme.

Ai humbi shumë gjak, ndërsa ajo i qëndroi pranë, herë pas here humbte ndjenjat, nuk fliste, por arrinte të hapte sytë dhe të ngrinte vetullat ndërsa ajo e mbante në krahë.

“Gjëja e fundit që i thashë ishte të duronte”, tha ajo.

Phil Dowdell duhej të shkonte në Universitetin shtetëror të Jacksonville me një bursë në fushën e atletikës. Alexis tha se i pëlqente të shikonte vëllanë e saj duke luajtur futboll dhe duke qeshur me të.

Alexis dhe nëna e saj thanë se nuk e dinë motivin e të shtënave. Një pastor vendas i tha BBC-së se sulmuesi është ende i lirë. Mes të vrarëve në festë ishin Shaunkivia Smith (17), Marsiah Collins (19) dhe Corbin Holston (23).