Nis zbatimi i projektit “Zhvillimi rural dhe agrobiznesi si promotorë të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm” në Mitrovicë

Sot ka nisur zbatimi i projektit “Zhvillimi rural dhe agrobiznesi si promotorë të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm” në Mitrovicë.
Kjo është bërë e mundur përmes Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Komunës së Mitrovicës, shkruan Telegrafi.
Ky projekt synon të ofrojë trajnime, këshillime dhe mbështetje për gratë, të rinjtë, popullatën rurale, startup-et dhe ndërmarrësit potencialë në Mitrovicë, duke i pajisur ata me aftësi dhe njohuri për të zhvilluar bizneset e tyre.
Drejtori i kësaj drejtorie, Ferdi Kadriu, ka vizituar grupin e ndërmarrëseve që tashmë kanë filluar trajnimet, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes për sipërmarrësit lokalë.
"Zhvillimi i sektorit rural dhe përkrahja e ndërmarrësve është prioritet për komunën tonë. Përmes këtij projekti, po krijojmë mundësi konkrete për gratë, të rinjtë dhe të gjithë ata që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në sektorin e biznesit rural”, ka thënë Kadriu. /Telegrafi/






















































