Nis seanca ndaj dy të dyshuarve për spiunazh Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen për spiunazh.
Gjykatësi Rrahman Beqiri në hyrje të seancë tha se janë njoftuar që Bedri Shabani ka marrë tretman mjekësor, dhe se i njëjti nuk është mirë me shëndet.
Ndërsa, i akuzuari Bedri Shabani kërkoi që seanca të mos mbahet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
"Po kam marrë trajtim shëndetësor, por nuk jam mirë me shëndet. Ju kisha lut që kjo seancë mos të mbahet. Jam në mbikëqyrje të mjekëve. Gjendja shëndetësore është e vështirë, dhe jam në mbikëqyrje të mjekëve çdo 30 min", deklaroi ai.
Pas kësaj trupi gjykues vendosi që të shkojnë në konsultime.
Pas konsultimeve, u bë e ditur se seanca të ndërpritet përkohësisht deri në ora 10:30.
Seanca ka vazhduar sërish, ndërsa avokati i Bedri Shabanit, Besnik Berisha, ka kërkuar që seanca të mbahet pa praninë e mediave, kërkesa e tij u aprovua nga trupi gjykues.
Duke marrë parasysh rrethanat u vendos që kjo seancë të mbyllet dhe të vazhdojë më 20 nëntor.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër.
Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës. /Telegrafi/

































