Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka nisur publikimin e rezultateve zgjedhore në platformën online.

Pasi shqiptarët shprehën vullnetin e tyre me votë, tashmë po zhvillohet procesi i numërimit. Gjithsej në të gjithë Shqipërinë janë 5225 kuti për votat brenda vendit, teksa kujtojmë se këtë vit ka votuar edhe diaspora.


Bashkia e parë që nisi numërimin ishte Pusteci në Qarkun e Korçës. Sipas udhëzimit të KQZ, kjo bëri që të nisë numërimi i votave të diasporës në tërësi për Qarkun e Korçës. Përveç partisë, qytetarët kanë patur mundësinë të votojnë edhe për emrin e kandidatëve në pjesën e hapur të listës.

Janë numëruar 5 kutitë e para me vota në Pustec, ku shihet kryesimi i Partisë Socialiste ndaj koalicionit PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Nga numërimi i këtyre tre kutive, PS ka siguruar 697 vota, ndërsa PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore 313 vota.

Në total, kjo bashki ka 8 kuti votimi, nga të cilat 5 janë numëruar tashmë.

Me 3 kuti të mbetura, trendi i votave tregon se PS pritet të fitojë në këtë bashki minoritare.

Ndërkohë, në KZAZ-të e tjera po vazhdon procesi i numërimt që ka nisur para mesnate.

Qendrat e votimit ishin të hapura deri në orën 19:00 ndërsa të drejtën për të votuar e patën mbi 3.7 milionë shqiptarë. Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Shqipëri pas ardhjes së demokracisë.

Rezultatet po përditësohen vazhdimisht dhe ju mund t'i ndiqni drejtëpërdrejt KËTU