LAJMI I FUNDIT:

Nga Shinzo Abe e John Kennedy deri tek Itzhak Rabin – liderët botërorë që u vranë me armë zjarri

Nga Shinzo Abe e John Kennedy deri tek Itzhak Rabin – liderët botërorë që u vranë me armë zjarri

Shumë liderë botërorë janë vrarë për një sërë arsyesh, duke përfshirë presidentin e SHBA-së, John F. Kennedy, kryeministren pakistaneze, Benazir Bhutto dhe kryeministrin izraelit, Yitzhak Rabin.

Vdekja e Shinzo Abes, ish kryeministër japonez, i qëlluar me armë zjarri gjatë një tubimi elektoral, tronditi mbarë botën.


Por ka një histori të gjatë vrasjesh të liderëve politikë të globit.

Në memorien kolektive, më e famshmja mbetet ajo e presidentit amerikan John Kennedy, i qëlluar për vdekje 22 nëntorin e vitit 1963 në Dallas, teksa udhëtonte me një limuzinë të hapur.

Momenti i vrasjes së Shinzo Abes
Lexo po ashtu Momenti i vrasjes së Shinzo Abes

Vëllai i tij, Bob, vdes në të njëjtën mënyrë më 5 qershor të vitit 1968 në Los Angeles teksa festonte fitoren në zgjedhjet e mesit të mandatit.

Mbreti Faisal

Faisal bin Abdulaziz Al Saud, i cili ishte mbret i Arabisë Saudite nga viti 1964 deri në vrasjen e tij më 25 mars 1975, zbatoi një sërë reformash në vendin e tij.

Ai mundësoi hapjen e televizioneve dhe shkollimin e grave, transmeton Telegrafi.

Ai luajti një rol të rëndësishëm në embargon e naftës që shkaktoi krizën e naftës në vitin 1973.

Faisal, 68 vjeç, u qëllua dhe u vra nga nipi i tij 30-vjeçar, Princi Faisal bin Musaid bin Abdulaziz Al Saud në Pallatin Mbretëror në Riad.

Park Chung-hee

Presidenti Park Chung-hee, i cili mori pushtetin në një grusht shteti ushtarak të vitit 1961 në Korenë e Jugut, u qëllua për vdekje në një restorant nga miku i tij Kim Jae Kyu, shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Koreane, më 26 tetor 1979.

Raportohet se që kur mori kontrollin e Koresë së Jugut, Chung-hee sundoi me një grusht të hekurt.

Kim pretendoi se ai vrau presidentin për të rivendosur demokracinë në vend.

Mohamed Anwar Sadat

Presidenti egjiptian, Anwar Sadat u vra në vitin 1981 nga anëtarë të Xhihadit Islamik Egjiptian pas nënshkrimit të diskutueshëm të një traktati paqeje me Izraelin në vitin 1979.

Në vitin 1970, Sadat erdhi në pushtet pas vdekjes së Abdel-Nasser.

Sadati u përshkrua nga egjiptianët si krijuesi i paqes pasi ai udhëhoqi vendin gjatë luftës së vitit 1973 kundër Izraelit.

Indira Gandhi

Indira Gandhi, kryeministrja e parë grua e Indisë, është ndër liderët që u vranë.

Gandhi u qëllua për vdekje nga dy truprojat e saj Sikh më 31 tetor 1984, me arsyetimin se ajo kishte urdhëruar një bastisje ushtarake në Tempullin e Artë, tempullin më të shenjtë sikh, raporton aa.

Vrasja çoi në trazirat anti-Sikh të vitit 1984, të cilat vranë mijëra sikë në Indi.

Olof Palme

Olof Palme ishte një kritik i shpeshtë i politikës së jashtme të SHBA-së, Bashkimit Sovjetik, si dhe regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut.

Palme u qëllua pas shpine më 28 shkurt 1986, pasi u largua nga një kinema në Stokholm me gruan e tij.

Rasti tërhoqi vëmendjen, ndër të tjera, për politikanët suedezë që dilnin në publik pa siguri.

Pasi qëlloi Palmën, vrasësi u largua me armë. Rasti ishte një mister edhe pse më shumë se 10 mijë njerëz u morën në pyetje, dhe më shumë se 130 morën përgjegjësinë.

Yitzhak Rabin

Kryeministri izraelit, Yitzhak Rabin u vra më 4 nëntor 1995 për bisedime paqeje me palestinezët.

Ai u vra nga radikali i djathtë izraelit Yigal Amir.

Marrëveshjet e Oslos të vitit 1993 që Rabin nënshkroi synonin të vendosnin bazën për bisedimet e paqes.

Roli i Rabinit në bisedime i dha atij Çmimin Nobel për Paqe së bashku me udhëheqësin palestinez Yasser Arafat.

Pas vrasjes së Rabinit, mundësia e zgjidhjes me dy shtete të çështjes palestinezo-izraelite u bë edhe më e vështirë.

Rafic Hariri

Vrasja e ish-kryeministrit Rafik Hariri, i njohur si politikani që rindërtoi Libanin, ndikoi thellë në rrjedhën e vendit.

Hariri, i cili erdhi në pushtet në vitin 1992 pas luftës dhe udhëhoqi rindërtimin për të fshirë gjurmët e luftës, si dhe duke dhënë kontribute serioze për përfundimin e luftës civile 15-vjeçare në vend, u vra më 14 shkurt të vitit 2005 në Bejrut.

Libani u polarizua pas atentatit dhe pasiguritë politike prekën thellësisht vendin.

Vendi, i dominuar nga paqëndrueshmëria politike, aktualisht po përjeton një nga krizat më të mëdha ekonomike në historinë e tij.

Benazir Bhutto

Benazir u vra në një sulm terrorist menjëherë pasi ajo iu drejtua një tubimi në parkun historik Liaquat të Rawalpindi në dhjetor të vitit 2007.

Bhutto ishte kryetarja e parë femër e shtetit e zgjedhur në një vend me shumicë myslimane në vitin 1988.

Bhutto, e cila u shkarkua nga posti i saj, të cilin e mbajti për dy vjet për shkak të akuzave për korrupsion, u bë kryeministre në vitin 1993 për herë të dytë.

Bhutto, e cila u hoq nga posti i saj për herë të dytë nën akuza të ngjashme tre vjet më vonë, u largua vullnetarisht nga Pakistani në 1999 dhe nuk u kthye deri në vitin 2007.

Me një valë simpatie, partia e saj fitoi zgjedhjet e vitit 2008 dhe i veja e saj, Asif Zardari dhe nënkryetari i partisë, Syed Yousaf Raza Gilani, u bënë përkatësisht president dhe kryeministër.

Jovenel Moise

Presidenti 53-vjeçar i Haitit, Moise u vra më 7 korrik 2021, në një sulm në shtëpinë e tij nga persona të armatosur.

Theksojmë se gjatë atentati u plagos edhe bashkëshortja e tij, Martine Marie Etienne Joseph, e cila i mbijetoi sulmit.

Të paktën 40 persona janë arrestuar në lidhje me atentatin, i cili mbetet një mister, por asnjë nuk është akuzuar zyrtarisht. /Telegrafi/