Viti 2017 do të kujtohet edhe për ndarjen nga jeta të njerëzve të talentuar nga bota e artit, muzikës dhe filmit.
Miguel Ferrer
Në muajin janar ndërruan jetë disa personalitete të njohura, ndërsa njëri prej tyre ishte Miguel Ferrer, i cili e humbi luftën me kancerin e fytit dhe vdiq në moshën 61 vjeçare.
Aktori ishte kushëri i George Clooneyt, babai i tij, Jose Ferrer, ishte fitues i çmimit Oscar, ndërsa nëna e tij, Rosemary Clooney, ishte këngëtare.
Ndër rolet më të njohura të tij ishte ai në serialin “NCIS: Los Angeles”. Ferrer ka luajtur edhe në filmat, si “Crossing Jordan”, “RoboCop” e “Iron Man 3”.
Gorden Kaye
Aktori Gorden Kaye vdiq jetë në moshë 75 vjeçare. I njohur më së shumti për rolin e tij në serinë komike, “’Allo ‘Allo!”, ai ndërroi jetë në një shtëpi pleqsh.
Në serialin e njohur, Kaye ka luajtur rolin e pronarit të kafenesë në të gjitha 84 episodet.
Njëherësh, ai e ka luajtur rolin e Rene në 1.200 paraqitje skenike të shfaqjes së bazuar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, në Francën e okupuar nga Gjermania. Aktori u rikthye në rolin e Rene në një episod të vetëm televiziv të “’Allo ‘Allo!” në vitin 2007.
Roli i fundit i Gorden ishte në serialin e BBC, “Revolver”, në vitin 2004.
John Hurt
Ylli i filmave “Alien”, “Harry Potter” e “The Elephant Man” vuante nga kanceri i pankreasit dhe ndërroi jetë në moshë 77 vjeçare.
Aktori anglez la pas vetes një karrierë 50 vjeçare, si në ekran ashtu edhe në teatër, dhe është konsideruar një prej aktorëve më të mirë britanikë.
Gjatë karrierës ka fituar çmimet BAFTA, Golden Globe dhe ka qenë i nominuar për Oscar.
Bill Paxton
Në muajin shkurt ndërroi jetë regjisori dhe aktori, Bill Paxton, si pasojë e komplikimeve pas një ndërhyrjeje kirurgjike. Ai ishte 61 vjeçar.
Gjatë karrierës së tij, aktori ka luajtur në filma të tillë, si “Titanic”, “Twister” dhe “Aliens”.
Së fundmi ai ishte i angazhuar në serinë televizive “Training Day”.
Al Jarreau
Këngëtari i njohur i muzikës xhaz dhe R&B ndërroi jetë në moshën 76 vjeçare. Sipas njoftimeve në mediat ndërkombëtare, shkaktari kryesor i vdekjes së tij nuk është bërë i ditur, megjithatë raportohet se ikona e muzikës xhaz kishte probleme me frymëmarrjen dhe zemrën gjatë gjithë viteve të jetës së tij.
Al Jarreau shquhet si ndër këngëtarët më të mëdhenj të zhanrit të cilin e kultivoi, gjersa disa nga hitet e tij të pavdekshme janë: “Mornin”, “After All”, “Ëe’re in This Love Together” dhe pa dyshim hitin absolut “Moonlighting” i kënduar në vitet 70-80.
Ka të nxjerrë në treg plot 21 albume, pesë prej të cilave janë me këngë të interpretuara ‘live’.
Karriera e tij pasurohet edhe me shumë çmime nëpër kompeticione të ndryshme botërore, ku ndër to përmenden çmimet e fituara në “Grammy”, të cilat janë plot shtatë, ndërsa i nominuar ka qenë mbi 24 herë.
Chuck Berry
Në muajin mars ndërroi jetë legjenda e rokenrollit, Chuck Berry, në moshën 90 vjeçare. Policia konfirmoi se iu përgjigj një “emergjence mjekësore” në shtëpinë e tij në Missouri.
Por, pasi emergjenca mjekësore ka mbërritur në shtëpinë e tij, aty kanë parë vetëm një njeri i cili nuk jepte shenja jete, dhe ai Berry.
Chuck u lind më 18 tetor të vitit 1926 dhe ishte këngëtar, kitarist dhe kompozitor i famshëm i muzikës rock and roll.
Jonathan Demme
Në muajin prill nga jeta u nda Jonathan Demme, regjisori fitues i çmimit Oscar me filmin “The Silence of the Lambs”.
Ai ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare pas ndërlikimeve nga kanceri i ezofagut dhe problemeve kardiake.
Regjisori mësoi në vitin 2010 që vuante nga kanceri dhe gjatë javëve të fundit para vdekjes, gjendja e tij ishte përkeqësuar.
Roger Moore
Skena artistike në muajin maj e humbi Sir Roger Moore. Aktori më së miri i njohur për rolin kryesor në filmin e famshëm “James Bond”, ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare.
Ai vdiq në Zvicër pas një beteje të shkurtër me kancerin.
Moore i kishte vizituar fëmijët kosovarë në kampet e refugjatëve në Maqedoni në vitin 1999. I asistuar nga punëtorët e UNICEF-it, Moore u ka shpërndarë lodra fëmijëve kosovarë që ishin refugjatë në kampet e refugjatëve në Maqedoni, në vitin 1999. Ai në atë kohë ishte ambasador i vullnetit të mirë i UNICEF-it.
Michael Parks
Edhe Michael ndërroi jetë në muajin maj. Aktori hollivudian vdiq në moshën 77-vjeçare.
Parks ishte i sëmurë një kohë të gjatë, ndërsa në momentet e fundit të jetës ishte pranë familjarëve në shtëpinë e Los Angelesit.
Kujtojmë se Parks ka luajtur në serialin “Twin Peaks” dhe në filmin “Kill Bill” të Quentin Tarantinos.
Robert Miles
Skena muzikore mbeti pa muzikantin Robert Miles.
Ai ishte më së shumti i njohur për hitin “Children” që ishte në maje të top-listave në 12 vende të ndryshme.
Adam West
Në qershor ndërroi jetë aktori amerikan, Adam West, i cili është më së shumti i njohur për rolin e Batmanit.
Ai vdiq në moshë 88 vjeçare në Los Angeles, ndërsa vuante nga leukemia.
West luajti rolin e superheroit në serialin e viteve të gjashtëdhjeta. Mirëpo, pasi ABC vendosi ta shuante serialin edhe karriera e tij pësoi rënie.
Sam Shepard
Aktori i nominuar për çmimin Oscar, regjisor dhe skenarist, ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare. Ai vdiq në shtëpinë në Kentucky, i rrethuar nga fëmijët dhe motrat e tij, pas një beteje të gjatë me sklerozën.
Shepard mori çmimin Pulitzer për dramë në vitin 1979 për rolin e tij në Buried Child dhe është autor i 44 roleve si dhe disa librave dhe tregimeve të shkurtra, memorieve dhe eseve.
Ai ishte nominuar gjithashtu edhe për çmimin Oscar për aktorin më të mirë mbështetës në 1983, në filmin “The Right Stuff” në rolin e pilotit Chuck Yeager.
John Heard
I njohur më së shumti për rolin e Peter McCallister – babai i Kevinit në filmin “Home Alone”, John Heard vdiq në moshën 72-vjeçare.
Aktori u gjet i vdekur në dhomën e një hoteli në Palo Alto të Kalifornisë, ku u shpall i vdekur nga ekipi i emergjencës.
Para se të vdiste, ai kishte bërë disa operacione më parë gjatë javës dhe po shërohej në hotel.
Dick Gregory
Komiku dhe aktivisti për drejta të njeriut, Dick Gregory, vdiq në muajin gusht. Ai ishte në moshën 84 vjeçare.
Ai ishte shtrirë në spital një javë më parë, pasi që kishte pasur infektim të rëndë bakterial.
Gregory ka qenë i njohur si komik i madh në televizionet e shumë familjeve, po gjithashtu edhe si aktivist i të drejtave të njeriut.
Ai theu barriera racore në vitet e gjashtëdhjeta dhe përdori humorin e tij si mjet për të luftuar kundër pabarazive, dhe për të shpërndarë mesazhe për një shëndet më të mirë.
Jerry Lewis
Komiku amerikan, Jerry Lewis, ndërroi jetë në moshë 91 vjeçare. Në një njoftim të familjes së tij është thënë se ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrore në Las Vegas.
Lewis, emri i vërtetë i të cilit është Joseph Levitch, lindi në Newark të New Jerseyt, nga prindër ruso-çifutë, të cilët ishin në botën e shoubizit. Ai filloi të luante në skenë që nga mosha pesëvjeçare krahas prindërve të tij.
Bashkëpunimi dhjetëvjeçar me Dean Martin, bëri që ata të luanin në 16 filma dhe të arrinin sukses të madh në ‘box office’. Ai u bë aktori më i paguar në Hollywood falë roleve në “The Bell Boy”, “Cinderfella” e “ The Nutty Professor”.
Nga sukseset tjera, vlen të përmendet “The King of Comedy” në vitin 1983, ku luante një moderator që përndiqej nga Robert de Niro.
Në vitin 1995, Lewis u bë ylli më i paguar në histori të Broadway me rolin e Mr Applegate në mjuziklin “Damn Yankees”. Njëherësh, ai është vlerësuar edhe si skenarist.
Hugh Hefner
Në fund të muajit shtator ndërroi jetë themeluesi i Playboy, Hugh Hefner, në moshën 91-vjeçare. Në deklaratën e përcjellë nga revista që ai nisi të botonte në vitin 1953 nga kuzhina e shtëpisë së tij, thuhej se Hefner u shua qetësisht në shtratin e vet nga shkaqe natyrale.
Ajo që nisi si përpjekje e një njeriu të vetëm do të kthehej shumë shpejt në ‘brendin’ që përvijoi kulturën seksuale të shekullit XX. Modelet e bëshme të Playboy u shndërruan në objekt fantazie për miliona meshkuj, ndërsa Hefner sfidoi kështu hapur puritanizmin amerikan.
Suksesi i revistës u përkthye shumë shpejt në një perandori të vërtetë biznesi që përfshinte kazino e klube nate. Manjati i veshur thuajse gjithmonë me rroba të mëndafshta që i ngjasonin pizhameve u bë i famshëm për stilin hedonik të jetesës dhe për faktin që dilte me lepurushet e Playboy”e në disa raste, edhe martohej me to.
Hefner pretendonte se kishte pasur marrëdhënie intime me mbi 1000 femra. Me gruan e tretë, Chrystal Harris, lidhi kurorë në vitin 2012, kur ishte 86 vjeç, ndërsa ajo ishte 60 vjet më e re.
Hugh Hefner praktikisht jetoi jetën që vetë e kishte portretizuar në revistën e tij. Vila e tij “Playboy Mansion” në Los Angeles, aty ku dhe vdiq i rrethuar nga miqtë, ishte mishërim i ëndrrës së një adoleshenti. /Telegrafi/