Ajo që ishte në Angli Princesha Diana, në Amerikën e viteve nëntëdhjetë ishte Carolyn Bessette Kennedy – gruaja që ishte vazhdimisht në shënjestër të tabloideve, e njohur për sofistikimin, hijeshinë dhe finesën e saj

Edhe pse nuk ishte yll hollivudian, vajzë me gjak blu apo trashëgimtare e shoqërisë së lartë, kjo vajzë nga White Plains, e punësuar në industrinë e modës në Manhattan, arriti të fitojë zemrën e beqarit më të dëshiruar të asaj kohe, John F. Kennedy Jr. Për të, ai hoqi dorë nga ai status, ndërsa bashkë u shndërruan në “çiftin e artë” që magjepste me bukuri, por edhe me shkëlqimin intelektual. Megjithatë, shumë thonë se ajo po fundosej në depresion dhe se atij i kishte kthyer jetën në një përrallë që ajo nuk e dëshironte.


Biondja shampanjë, ngjyra më e sofistikuar e flokëve të kësaj pranvere: e butë, elegante dhe luksoze, ishte shenjë dalluese e ikonës së modës Carolyn Bessette.

Fatkeqësisht, përralla e tyre pati fund tragjik. Vetëm tri vjet pas martesës, çifti humbi jetën më 16 korrik 1999, në rrëzimin e avionit që drejtohej nga vetë John, transmeton Telegrafi.

Bota edhe sot nuk mund ta marrë veten nga largimi i tyre i parakohshëm, ndërsa trashëgimia e Carolyn-it në modë vazhdon të jetojë dhe të dominojë më shumë se dy dekada e gjysmë pas vdekjes së saj. Madje sot edhe parfumi CK One është rikthyer ndër më të pëlqyerit dhe sikur është teleportuar nga vitet nëntëdhjetë pikërisht falë Carolyn Bessette.

Mbretëresha e “luksit të qetë”, shumë përpara se të bëhej trend

Sot shprehje si “luks i qetë” dhe “capsule wardrobe” (gardërobë kapsulë) dëgjohen kudo, por pikërisht Carolyn ishte pioniere e këtij stili. Moda e saj ishte mishërim i thjeshtësisë, vijave të pastra dhe elegancës së përkryer. Ajo kishte neveri ndaj ciklit të trendeve kalimtare dhe në vend të tyre zgjidhte një qarkullim të lehtë të pjesëve të përzgjedhura me kujdes, xhinse blu Levi's, bluza GAP dhe pallto Prada, e punuar posaçërisht për të në tri ngjyra. Nuk kishte një gardërobë gjigante dhe refuzonte dhuratat nga dizajnerët, duke dashur të ruante vulën e saj autentike.

Ndryshe nga vjehrra e saj, legjendarja Jackie Kennedy, e cila adhuronte shkëlqimin e shtëpive të modës si Oscar de La Renta dhe Valentino, Carolyn anon­te nga një stil më avangardë, që nuk vendoste kufij të qartë gjinorë dhe rrëzonte idetë klasike për modën “femërore”. Dhuntia e saj e veçantë ishte se dukej sikur vishej për vetëm tri minuta, edhe pse çdo detaj ishte menduar në mënyrë të përkryer.

Fundet e saj midi prej sateni të kombinuara me pulovër të zezë, këmishët klasike të bardha dhe fustanet me prerje të drejtë mbeten edhe sot urdhër i modës. Edhe kur kryente obligimet e përditshme në New York, ajo dinte të bashkonte një pulovër të zezë të thjeshtë, xhinse dhe shapka, duke zbutur seriozitetin dhe duke shtuar një notë të lirshme e moderne në stilin e saj urban. Përveç kësaj, adhuronte të mbante shami në kokë me një bluzë të bardhë të thjeshtë dhe një blejzer të zi e të gjerë.

Fustani i nusërisë për të cilin flitet ende sot

Carolyn u bë ikonë planetare e modës që në ditën e martesës së saj. E gjithë bota mbeti e mahnitur kur çifti organizoi një ceremoni intime me vetëm 40 mysafirë, ndërsa vëmendje të veçantë mori fustani i saj, i krijuar nga miku i saj, atëherë pothuajse i panjohur, dizajneri Narciso Rodriguez.

Ajo mbante vellon prej tulli mëndafshi, sandale sateni Manolo Blahnik me perla kristali dhe doreza të gjata të bardha, ndërsa flokët i kishte mbledhur lirshëm në një topuz, të fiksuar me një karficë që i kishte përkitur Jacqueline Kennedy Onassis.

Kur i shihni sot fotografitë e saj, do t’ju duken si paraqitje aktuale mode nga portalet më të lexuara, dëshmi e qartë se klasi i vërtetë dhe sofistikimi nuk dalin kurrë nga moda. /Telegrafi/