"Nga një refugjat në hero", familjarët e Burim Havollit që u vra në New York thonë se ai do të varroset në Kosovë
Në Brooklyn të New Yorkut, një tragjedi e rëndë ka prekur komunitetin dhe familjen shqiptare Havolli.
41-vjeçari Burim Havolli, mbikëqyrës i një pallati banimi në Ditmas Park dhe baba i tre fëmijëve, humbi jetën pasi u sulmua nga një person që tentoi të vidhte pako në hollin e ndërtesës.
Pas rastit tragjik, reagime të shumta ka pasur të familjarëve të tij, të cilët edhe kanë njoftuar se i ndjeri do të varroset në Kosovë, transmeton Telegrafi.
"Përmes këtij lajmërimi ju njoftoje gjithë miqët dhe farefisin se papritur para pak çasteve ndërroi jetë djali, vëllau, Baba dhe më i dashuri ynë Burim Havolli i cili si i ri migroi në SHBA, ku punoi e krijoi familje dhe pas vete la bashkëshortën Jehonën, fëmijët, Jonin, Dhuratën dhe Kronin e vogël. Pasi vëllau ynë i dashur Burim vdiq sot në Amerikë në emër të familjes ju falënderoj gjithëve për intersimin dhe ngushëllimet", ka shkruar familjari i tij, Fitim Havolli në një reagim në Facebook.
Ai ka shtuar tutje se "për ceremoninë e varrimit do të njoftoj me kohë, për vendin dhe kohën, pasi të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore e mjekësore New York. Varrimi do të bëhet në Kosovë".
Ndryshe, ngjarja ndodhi gjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit të së mërkurës, kur Havolli u përball me të dyshuarin 30 vjeçar, i cili ishte futur në ndërtesë për të vjedhur një pako. Përleshja verbale u përshkallëzua dhe rezultoi në goditje të shumta në kokë ndaj Havollit, i cili u rrëzua dhe humbi jetën në spitalin Kings County Hospital Center.
Policia ka bërë të ditur se një person është marrë në pyetje në lidhje me rastin, por deri tani nuk janë ngritur akuza. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë.
Përfaqësues ligjor të Havollit kanë kërkuar drejtësi për rastin. /Telegrafi/































