Nga nesër do të fillojë punën Task-Forca parandaluese kundër keqpërdoruesve të ujit të pijshëm në Vushtrri.

Kështu është vendosur sot në takimin mes kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe menaxhmentit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, shkruan Telegrafi.


“Kjo Task-Forcë do të kryesohet nga kryeshefi ekzekutiv i KRU 'Mitrovica', ndërsa pjesë e saj do të jetë edhe Inspektorati i Komunës së Vushtrrisë. Task-Forca do të përpilojë raporte në baza ditore”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim temë diskutimi ishte mungesa e ujit të pijshëm, për të cilën qytetarët kanë paraqitur shqetësimet e tyre gjatë këtyre ditëve.

Idrizi ka kërkuar nga KRU “Mitrovica” që gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta të mos ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm.

“Në fund, ftojmë qytetarët të mos keqpërdorin ujin e pijshëm!”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/