Bruno Fernandes, Luka Modric e Frenkie de Jong, janë në mesin e 23 futbollistëve që rrezikojnë mungesën në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror, në rast se ndëshkohen me kartonë të verdhë në sfidat çerekfinale.
Sportsmail e ka publikuar listën me lojtarët që duhet t’i shmangin kartonët, në mënyrë që të luajnë në gjysmëfinale në rast se ndodh kualifikimi i përfaqësueseve të tyre.
Kroacia
Skuadra ballkanike luan kundër Brazilit në çerekfinale, ndërsa Zlatko Dalic duhet të kujdeset për katër futbollistë që të mos ndëshkohen.
Në mesin e tyre është kapiteni legjendar, Luka Modric, i cili duhet të jetë shumë i kujdesshëm, pastaj Dejan Lovren, Borna Barisic e Mateo Kovacic.
Brazili
Selecao është ndër favoritët për ta fituar turneun e sivjetmë, ndërsa Fred, Bruno Guimaraes e Eder Militao, duhet të jenë të kujdesshëm që të mos marrin kartonë në sfidën çerekfinale ndaj Kroacisë, në mënyrë që të mos mungojnë në gjysmëfinale.
Anglia
Tre Luanët kanë qenë të disiplinuar dhe Gareth Southgate nuk duhet të shqetësohet për ndonjë mungesë eventuale, sepse asnjëri nga futbollistët e tij nuk ka marrë karton të verdhë.
Meqenëse kartonët do të rivendosen pas ndeshjeve çerekfinale, Anglia mund të përballojë të zhvillojë ndeshje më fizike kundër Francës.
Franca
Les Bleus kanë dy lojtarë, të cilët duhet të jenë të kujdesshëm në sfidën e çerekfinale ndaj Anglisë.
Ylli i Barcelonës, Jules Kounde dhe ai i Real Madridit, Aurelien Tchouameni, duhet t’i shmangin kartonët në mënyrë që të luajnë në gjysmëfinale në rast të kualifikimit të Francës.
Maroku
Befasia e Botërorit eliminoi Spanjën dhe do të ndeshet me Portugalinë e Cristiano Ronaldos në çerekfinale.
Në rast se ekipi afrikan bën një tjetër befasi të madhe, atëherë Sofyan Amrabat, Abdelhamid Sabiri dhe Romain Saiss, duhet t’i shmangin kartonët e verdhë, në mënyrë që të luajnë në gjysmëfinale me fituesin e duelit Francë-Angli.
Portugalia
Portugalia ka më së shumti lojtarë të rrezikuar për mungesë potenciale në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror.
Bruno Fernandes, Danilo Pereira, Ruben Neves, Joao Felix e Ruben Dias, duhet të jenë shumë të kujdesshëm në sfidën ndaj Marokut që të mos ndëshkohen me kartonë.
Holanda
Katër lojtarë të Louis van Gaal rrezikojnë të mos luajnë në gjysmëfinale në rast se përfaqësuesja e tyre vazhdon tutje.
Matthijs de Ligt, Nathan Ake, Frenkie de Jong e Teun Koopmeiners, duhet të kenë kujdes nga ndëshkimi në sfidën përballë Argjentinës.
Argjentina
Përfaqësuesja e Lionel Messit i ka vetëm dy lojtarë të rrezikuar që duhet të mos ndëshkohen në takimin ndaj Holandës.
Mbrojtësit e krahut, Gonzalo Montiel e Marcos Acuna, nuk duhet të marrin kartonë në ndeshjen çerekfinale. /Telegrafi/
/Telegrafi/