Nga lufta e Kosovës te dështimi në Serie A dhe rilindja në La Liga: Në Itali i thurin elozhe Muriqit

Vedat Muriqi është futbollisti i momentit te Mallorca dhe jo vetëm, pasi ai sigurisht që është lojtari që ka bërë më së miri këtë fundjavë në La Liga.
Ylli kosovar ka shkëlqyer në fundjavën që lamë pas me tre gola ndaj Athletic Bilbaos duke i siguruar një fitore Mallorcas 3-2.
Një nga gazetarët më të mirë italianë, Gianluca Di Marzio ka bërë një shkrim të jashtëzakonshëm për prizrenasin: Nga lufta e Kosovës te shkëlqimi në Turqi, dështimi në Serie A dhe rilindja në La Liga me fanellën e Mallorcas.
Më poshtë keni shkrimin e plotë të përkthyer nga Di Marzio për Vedat Muriqin:
Rilindja e Vedat Muriqit te Mallorca: golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e klubit me 46 gola
Hapni renditjen e golashënuesve të La Ligës dhe përkrah emrave si Mbappe, Ferran Torres e Lewandowski, do të gjeni edhe Vedat Muriqin. “Piratin” kosovar, i cili në Spanjë ka përjetuar një rilindje të vërtetë falë Mallorcës.
Me 14 gola në kampionat, ai po vazhdon të thyejë rekord pas rekordi, përfshirë edhe atë të arritur në fitoren e fundit 3-2 ndaj Athletic Bilbaos, ku realizoi një het-trik dhe u bë kështu golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e klubit nga Ishujt Balearikë me 46 gola, duke kaluar Juan Arangon dhe duke iu afruar Samuel Eto’os, i cili mban rekordin me 54 gola.

Në Itali shpesh etiketohej si i ngadaltë apo i rëndë në lëvizje, por në La Liga Muriqi është një tjetër lojtar: i pamëshirshëm në zonë dhe gjithnjë e më vendimtar. Bashkëpunimi me Lazion nuk arriti kurrë të lulëzonte plotësisht: skuadra kishte nevojë për një sulmues përkrah Ciro Immobiles dhe merkatoja i solli Simone Inzaghit sulmuesin kosovar për 21 milionë euro, blerja e dytë më e shtrenjtë e epokës Lotito. Rezultatet? Vetëm disa paraqitje nga viti 2020 deri në 2022 dhe vetëm dy gola të shënuar, të dy ndaj Atalantës, një në Serie A dhe një në Kupën e Italisë.
Megjithatë, aventura me Lazion përfundoi herët, pasi në janar të vitit 2022 Mallorca vendosi ta blejë për 13 milionë euro. Një rini e dytë për sulmuesin, i cili në Spanjë gjeti vazhdimësi, gola dhe entuziazmin e atij fëmije që u rrit me topin në këmbë, pavarësisht frikës nga lufta në Kosovë.
Muriqi, protagonist në La Liga me Mallorcën
Pikërisht lufta ka qenë për Muriqin përvoja më e vështirë e jetës. Vetëm gjashtë vjeç, ai u detyrua të largohej nga Prizreni.
“Na morën sendet me vlerë dhe paratë. Na thanë se do ta bombardonin shtëpinë nëse nuk largoheshim brenda dy orësh. Na mbrojti Zoti. Ishim 50 persona, flinim në bodrum dhe kishim vetëm dy litra qumësht për t’u ushqyer. Hanim bukë dhe qepë për mëngjes, drekë e darkë”, tregonte Muriqi në një intervistë të vjetër për Gazzetta dello Sport.
Konfliktet mes Serbisë dhe Kosovës do ta shënonin adoleshencën e tij, por synimi mbeti gjithmonë i njëjtë: të bëhej futbollist. Këtë e arriti në vitin 2005 me KF Liria, në vendlindje, përpara se të vazhdonte karrierën në Shqipëri te Teuta e Durrësit e Besa e Kavajës, derisa bëri hapin e madh në Turqi duke luajtur për Giresunspor, Genclerbirligi, Rizespor e Fenerbahce.
Ëndrra Botëror me Kosovën
Që nga viti 2008, asnjë lojtar i Mallorcës nuk kishte realizuar një het-trik; i fundit ishte Dani Guiza kundër Real Murcias.
Ishte pikërisht Vedat Muriqi ai që e theu këtë tabu ndaj Athletic Bilbaos, me një dedikim prekës për babain e tij: “Sikur të ishte gjallë, sot do ta festonte ditëlindjen. Djali im mban emrin e tij. Ai u nda nga jeta kur unë isha 7 vjeç”, tha Muriqi pas ndeshjes i emocionuar.
Mes objektivave të Muriqit, përveç mbijetesës me Mallorcën, është edhe ëndrra e Botërorit me Kosovën.
Kombëtarja, e drejtuar nga Franco Foda, në mars do të përballet me Sllovakinë për të luajtur më pas finalen e mundshme ndaj njërës mes Turqisë dhe Rumanisë.
Muriqi është pa dyshim njeriu simbol i Kosovës, si dhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me 32 gola.
Shifra lideri dhe gola vendimtarë, veçanërisht ai i shënuar në sekondat e fundit ndaj Greqisë, që i siguroi Kosovës një hap drejt kualifikimit në play-off.
Qoftë me Mallorcën apo me Kosovën, Vedat nuk ka ndërmend të ndalojë së ëndërruari. /Telegrafi/





















































