Brikenë Hoxha, drejtore në Inicicativën Kosovare për Stabilitet

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 - sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve - janë zgjedhur 338 gra dhe 604 burra në asambletë komunale. Gratë përbëjnë 35.9 përqind të përbërjes lokale, mbi kuotën ligjore prej 30 përqind, por ende pa arritur barazinë reale në ndikim. Pjesëmarrja është rritur, por pushteti për të ndikuar mbetet i kufizuar.


Në Kosovë, dialogu social që duhet të lidh qeverinë, punëdhënësit, punëtorët dhe qytetarët, funksionon më shumë si formë sesa si përmbajtje. Këshilli Ekonomik Social, i cili ligjërisht duhet të jetë ura e bashkëbisedimit ndërmjet institucioneve dhe grupeve të interesit, ka përfaqësim të kufizuar të sektorit privat, ndërsa sindikatat mbeten kryesisht publike dhe jo përfaqësuese për punëtorët e sektorit privat. Përveç përfaqësimit të dobët, ky këshill nuk ka qenë funksional për gati pesë vite, duke e lënë Kosovën pa asnjë mekanizëm aktiv të dialogut trepalësh.

Në vend që të krijojë ura bashkëpunimi midis grupeve të interesit, mungesa e sindikatave të vërteta në sektorin privat ka bërë që zëri i punëtorëve të mos jetë i dëgjueshëm as në nivel qendror, as në proceset e politikëbërjes. Kjo zbrazëti institucionale ka krijuar një boshllëk që po e mbushin vetë komunat dhe përfaqësuesit lokalë, veçanërisht gratë asambleiste, të cilat po e ringjallin në praktikë idenë e dialogut shoqëror. Në shumë komuna, përmes dëgjimeve publike dhe nismave qytetare, ato po ndërtojnë një kulturë të re bashkëbisedimi që institucionet qendrore nuk kanë arritur ta konsolidojnë. Në këtë kuptim, niveli lokal po bëhet terreni më i gjallë i demokracisë funksionale në Kosovë - jo për shkak të ligjeve, por për shkak të angazhimit konkret të grave që po e mbajnë gjallë komunikimin midis qytetarëve dhe institucioneve.

Ndikimi politik nuk mund të shkëputet nga ndikimi ekonomik. Sipas raportit të Bankës Botërore, “Gratë, Biznesi dhe Ligji 2024: Profili i Kosovës”, pjesëmarrja e grave në tregun e punës mbetet nën 21 përqind, ndërsa mungesa e politikave për kujdesin ndaj fëmijëve dhe balancimin familjar të punësimit është pengesë kyçe për fuqizim ekonomik dhe publik. Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (Anketa e Fuqisë Punëtore 2024) tregojnë se vetëm 19.8 përqind e grave janë të punësuara krahasuar me 47.3 përqind të burrave, ndërsa pjesëmarrja e tyre në fuqinë punëtore qëndron në 23.5 përqind.

Rreth 37 përqind e grave të punësuara punojnë në ekonomi të paformalizuar, pa kontrata dhe pa sigurime shoqërore. Veçanërisht e ulët është përfshirja e tyre në sektorin privat formal, ku ato përbëjnë vetëm 18 përqind të të punësuarve. Këta tregues zbulojnë një boshllëk të thellë strukturor midis sektorit ku krijohet rritja ekonomike dhe atij ku gratë realisht kanë qasje në punë. Pa pavarësi ekonomike, përfshirja politike mbetet shpesh simbolike dhe pa kapacitet të matshëm ndikimi.

Kjo pabarazi ekonomike pasqyrohet drejtpërdrejt edhe në përfaqësimin politik. Që nga paslufta, vetëm një grua është zgjedhur me votë për kryetare komune në Kosovë - Mimoza Kusari Lila në Gjakovë. Pas më shumë se një dekade, në zgjedhjet e vitit 2025, një tjetër grua, Tanja Antić në Ranillug, arriti të fitojë këtë pozitë. Ky zhvillim, sado domethënës, mbetet simbolik dhe tregon se përfaqësimi gjinor në pushtetin vendor ende nuk është bërë normë. Në nivel komunal gratë udhëheqin më pak se 20 për qind të drejtorive, ndërsa në institucionet qendrore përfaqësimi i tyre në pozita vendimmarrëse mbetet nën 30 për qind. Barazia numerike nuk po kthehet në barazi ndikimi.

Megjithatë, përtej shifrave, ndikimi i grave shihet më qartë në mënyrën se si ato po e kuptojnë dhe po e ushtrojnë politikën në nivel lokal. Raporti i Institutit Kombëtar Demokratik, “Pjesëmarrja Politike e Grave në Nivelin Lokal në Kosovë” (2023), tregon se 75 përqind e grave asambleiste marrin pjesë rregullisht në takime me qytetarët dhe 60 përqind prej tyre trajtojnë tema që lidhen me arsimin, shëndetësinë, mjedisin dhe shërbimet sociale. Gratë janë më aktive në konsultime publike, por shpesh pa mekanizma të mjaftueshëm për ta kthyer këtë angazhim në ndikim politik brenda proceseve buxhetore dhe planifikimit komunal.

Raporti i organizatës Demokraci për zhvillim, “Gjinia dhe Qeverisja Lokale në Kosovë” (2023), arrin në përfundime të ngjashme. Në komuna si Gjakovë, Gjilan, Prizren dhe Suharekë, gratë asambleiste kanë luajtur rol ndërmjetësues midis qytetarëve dhe drejtorive komunale, veçanërisht në çështjet që prekin jetën e përditshme. Edhe pse shpesh pa mbështetje politike ose burime financiare, ato po e mbajnë gjallë frymën e komunikimit publik dhe po e zgjojnë dialogun shoqëror atje ku institucionet kanë dështuar ta krijojnë.

Korniza ligjore kërkon konsultim, por shumica e takimeve publike në komuna zhvillohen vetëm për të përmbushur detyrimin formal. Ligji Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale dhe Udhëzimi Administrativ Nr. 06/2018 për Standardet e Konsultimeve Publike kërkojnë dëgjime për buxhetet, plane zhvillimore dhe shërbimet lokale, por pjesëmarrja mbetet e ulët dhe ndikimi i kufizuar. Pikërisht aty ku proceset janë bërë më të gjalla, zakonisht nisma ka ardhur nga gratë përmes dëgjimeve të hapura dhe kërkesave të vazhdueshme për transparencë.

Nëse synojmë që pjesëmarrja e grave të kthehet në ndikim të matshëm, duhet të pranojmë se pengesat nuk burojnë nga mungesa e angazhimit të tyre, por nga strukturat që ende i mbajnë proceset vendimmarrëse të mbyllura dhe të centralizuara. Gratë nuk po kërkojnë hapësirë nga një ndjenjë e lindur e kujdesit, por sepse kuptojnë drejtpërdrejt se përjashtimi nga vendimmarrja nënkupton edhe përjashtim nga ndikimi.

Ndryshimi nuk do të vijë vetëm nga reformat ligjore apo politikat e barazisë, por nga hapja e institucioneve dhe krijimi i mekanizmave të vërtetë të dialogut publik. Pikërisht në nivelin lokal, përmes grave që insistojnë të përfshihen në planifikim, në buxhete dhe në transparencë, po shfaqet potenciali më i qartë për reformë demokratike.

Demokracia nuk matet me numrin e takimeve, por me mënyrën si dëgjohen zërat. Zëri i grave që tashmë janë në institucione nuk është më kërkesë për përfaqësim, por për përgjegjësi. Dhe ky është momenti kur kuota e humb funksionin e saj numerik për t’u kthyer në simbol të një etape që është kapërcyer. Vetëm atëherë pjesëmarrja do të ketë kuptim politik dhe barazia gjinore do të jetë përkthyer në ndikim real në vendimmarrje.

(Ky shkrim është hartuar në kuadër të projektit “Ajo Udhëheq: Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Promovimi i Grave në Udhëheqjen Lokale”, që implementohet nga Demokraci për zhvillim (D4D) dhe mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Përmbajtja pasqyron mendimet dhe qëndrimet e autores dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e organizatës/donatorit).