Adenis Shala, sulmuesi kosovar, ka zgjedhur këtë sezon të vazhdojë karrierën jashtë Evropës, duke u bashkuar me klubin Nasaf Qarshi në Uzbekistan, tash e gjashtë muaj. Mes vështirësive në adaptim, deri te ndeshjet me yjet e futbollit botëror që luajti ndaj tyre në Ligën e Kampionëve të Azisë, Shala i flet të gjitha në një intervistë me Telegrafin.

Përpara këtij hapit, Shala ka luajtur në ekipe të njohura si Hajduk Split dhe Fenerbahce, sa ishte fëmijë, ndërsa në Kosovë ka mbajtur fanellën e Ferizajt, Feronikelit, Gjilanit dhe Trepçës ’89. Kulmin e arriti te Shkëndija e Tetovës, aty ku vazhdon të jetë i dashur nga tifozët.


Kalimi në Uzbekistan për Shalën ka qenë një sfidë e re, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë personal për futbollistin prishtinas.

Ai ka përballuar një ndryshim të madh jetësor, duke iu dashur të adaptohej në një vend dhe një kulturë të re, pjesë e kontinentit aziatik, ku futbolli është fizikisht më intensiv se në Maqedoni dhe Kosovë.

“Vendosa ta vazhdoj karrierën time në Uzbekistan sepse kampionati aty është i fortë. Arsyeja pse zgjodha Nasaf Qarshi është sepse është një nga klubet më të mira në vend dhe ka një strukturë shumë profesionale”.

“Ka qenë një ndryshim i madh. Uzbekistan është pjesë e Azisë dhe për t’u përshtatur me jetesën këtu është shumë më e vështirë sesa në Evropë. Por po mundohem të adaptohem çdo ditë më mirë”, deklaroi Shala për Telegrafin.

Futbolli në Uzbekistan krahasuar me Maqedoni dhe Kosovë, pasi ylli i sulmit para kalimit atje, ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës, ku u shpall edhe kampion.

“Sipas mendimit tim, futbolli në Uzbekistan është më i fortë nga aspekti fizik. Ka shumë intensitet dhe lojtarë të fuqishëm, më shumë sesa në Maqedoni dhe Kosovë”, shtoi ai.

Përveç kampionatit vendas, Shala ka marrë pjesë me Nasaf Qarshi edhe në Ligën e Kampionëve të Azisë, ku ka përballuar ekipe të njohura si Al Hilal, Al Ahli dhe Al Ittihad, duke fituar eksperienca të jashtëzakonshme nga ndeshjet me lojtarë kampionë dhe ekipe me emër ndërkombëtar.

"Me klubin tonë kemi marrë pjesë në Ligën e Kampionëve të Azisë. Në grup kemi pasur shumë skuadra të forta si Al Hilal, Al Ahli dhe Al Ittihad – ekipe me shumë histori dhe lojtarë kampionë. Për mua ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme të luaj përballë tyre”, ka thënë Shala.

Ai në këto takime u përballë me yjet botërorë, si Karim Benzema, Ngolo Kante, ndërsa tregoi edhe për bashkëbisedimin që kishte me Mario Mitajn.

“Karim Benzema është lojtar i jashtëzakonshëm dhe fitues i Topit të Artë. Takimi dhe mundësia për të luajtur përball tij ka qenë realizimi i një ëndrre. Mario Mitaj është një lojtar dhe person i shkëlqyer; pata rastin të bisedojmë pas ndeshjes, ku kryesisht folëm për kombëtaren shqiptare dhe ia urova suksesin në play-off. Po ashtu, i urova fat për ndeshjet në mars dhe shpresoj që Shqipëria dhe Kosova të arrijnë Botërorin".

"N’Golo Kanté më la një përshtypje të veçantë – asnjë lojtar që kam pasur përball nuk më ka lënë si ai. Thjeshtësia dhe modestia e tij janë të jashtëzakonshme, duke marrë parasysh se ka fituar Botërorin, Premier Ligën dhe Champions League. Për mua, kjo ishte një surprizë shumë pozitive”, përfundoi ai.

Megjithatë, e ardhmja e tij tek Nasaf Qarshi mbetet e pasigurt, pasi ekziston mundësia që Shala të kthehet në Evropë në sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/

telegrafi sport app