Nga: David Blair / The Daily Telegraph (titulli: It shouldn’t take Trump to tell Netanyahu to end it)
Përkthimi: Telegrafi.com

Ke dëshirë të dalësh i mençur përpara një audience me ekspertë të politikës së jashtme? Ke dëshirë të bësh humor me një diplomat mesatar perëndimor? Një mënyrë e sigurt është të pëshpëritësh me zgjuarsi se secili udhëheqës që përpiqet të riformësojë Lindjen e Mesme, është i dënuar të përfundojë keq.


Figurat me ndikim politik nuk do ta pranojnë kurrë, por kryeministri të cilin ata e përbuzin më së shumti - Benjamin Netanyahu i Izraelit - ka arritur të transformojë ekuilibrin strategjik të rajonit me një shpejtësi marramendësi.

Brenda vetëm nëntë muajsh, ai ka shkatërruar Hezbollahun në Liban, ka nxitur rrëzimin e Bashar al-Assadit në Siri dhe ka shkatërruar ambiciet bërthamore të regjimit iranian. Një nga një, supozimet e besuara gjerësisht - se Hezbollahu ishte i pathyeshëm, se Assadi ishte i sigurt, se Donald Trumpi nuk do t’i dërgonte kurrë forcat amerikane në aksion në Lindjen e Mesme, dhe se programi bërthamor i Iranit ishte i pathyeshëm - janë shembur në mënyrë të turpshme.

Tani, pikërisht për shkak të këtij suksesi, ka ardhur koha që z. Netanyahu të vendosë një vijë. Ai duhet të pranojë armëpushimin e propozuar nga Amerika në Gazë dhe të ndalojë vrasjet. Kudo tjetër, ai ka pasur sukses. Në rrënojat dhe mjerimin e Gazës, ai të paktën mund t’i japë fund fushatës kartagjenase të Izraelit.

Është e vërtetë që krerët e politikës së jashtme janë duke i vënë në pikëpyetje arritjet ushtarake të Izraelit. Shumë prej tyre janë thellësisht të bindur se veprimi ushtarak mund të sjellë vetëm vonesë të shkurtër në përparimin e Iranit drejt një arme bërthamore.

Çdo impiant mund të rindërtohet dhe çdo centrifugë mund të riparohet apo zëvendësohet, thotë argumenti. Shumë shpejt, elementët thelbësorë të projektit bërthamor të Iranit mund të jenë po aq kërcënues sa më parë.

Prandaj, ka rëndësi deklarata e Rafael Grossit, kreut të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, kur ai tha se brenda “disa muajsh” Irani do të ketë “disa njësi centrifugash të cilat do të rrotulloheshin dhe do të prodhonin uranium të pasuruar”.

Por, “disa njësi” - që do të thotë, në maksimum, disa qindra centrifuga - përbëjnë vetëm një fraksion të 20 mijë centrifugave që ishin të instaluara në impiantet bërthamore të Iranit në Natanz dhe Fordo përpara se të bombardonin nga Amerika dhe Izraeli muajin e kaluar.

Edhe nëse z. Grossi ka të drejtë dhe Irani e rindërton me shpejtësi aftësinë për të pasuruar uranium deri në shkallë armësh, ai ende do të ketë nevojë ta konvertojë atë material në formën e ngurtë që përdoret për bërthamën e një bombe atomike.

Një problem: bombat izraelite kanë shkatërruar impiantin e konvertimit, të nevojshëm për këtë proces. Dhe, ku do t’i gjejë Irani shkencëtarët që kanë ekspertizë për këtë operacion jashtëzakonisht delikat? A janë ende gjallë? E dimë që Izraeli ka vrarë shumë nga ekspertët bërthamorë të Iranit dhe stërvitja e zëvendësuesve të tyre do të kërkojë vite, në mos dekada.

Këtu është një tjetër problem: duke qenë se është e qartë që spiunët e z. Netanyahu kanë depërtuar në çdo nivel të regjimit iranian - veçanërisht në programin bërthamor - çdo shkencëtar apo zyrtar që mund të urdhërohet të rindërtojë, do të duhet të hetohet dhe të kontrollohet në mënyrë të detajuar.

Ata që bëjnë verifikimet, nga ana tjetër, do të duhet të kontrolloheshin gjithashtu. Edhe kjo është një punë që zgjat me vite. Inteligjenca izraelite duket se ka kaluar dekada të tëra duke rekrutuar agjentë në shtyllat më të ndjeshme të shtetit iranian; t’i zbulosh ata, kjo sërish mund të kërkojë po aq kohë - nëse kjo është e mundur.

Sa i përket shkatërrimit të Hezbollahut dhe rrëzimit të Assadit, diplomatët tanë do të thonë se Izraeli ka qenë i aftë në aspektin taktik, por i verbër në aspektin strategjik. Ata do të citojnë teoricienin e madh ushtarak prusian, Carl von Clausewitz, i cili thoshte se “lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera”, dhe do të pohojnë se fushata izraelite ka eliminuar individë pa arritur ndonjë rezultat politik në favor të interesave të saj.

Megjithatë, sërish ka arsye të forta për të vënë në dyshim këtë analizë të zakonshme. Pas eliminimit të gjithë udhëheqjes së Hezbollahut dhe mijëra operativëve të tjerë, kjo lëvizje terroriste nuk arriti ta pengojë një kundërshtar të hapur të saj, Joseph Aoun, që të bëhet president i Libanit në janar. Në të kaluarën, Hezbollahu kishte fuqinë të vinte veton ndaj kandidatëve presidencialë në Liban, por jo më. Ky është një përfitim krejtësisht politik i fushatës izraelite.

Ndërkohë, dobësimi ekstrem i Hezbollahut ia hoqi Assadit forcën më të besueshme që e mbante në pushtet në Sirinë fqinje. Ikja e tij në mërgim hapi rrugën për liderë të rinj, të cilët tani po negociojnë përmes ndërmjetësve amerikanë për një marrëveshje të mundshme normalizimi dhe paqeje me Izraelin. Përpjekjet e mëparshme nuk çuan askund nën Assadin, por mund të kenë sukses nën pasardhësin e tij. Nëse ndodh kështu, Izraeli do të ketë arritur një qëllim politik që do ta kishte kënaqur edhe Clausewitzin.

Por, Gaza mbetet përjashtimi i madh. Cili është objektivi i fushatës gjithnjë e më të kotë të z. Netanyahu - tashmë lufta më e gjatë dhe më e përgjakshme në historinë e konfliktit arabo-izraelit? Çfarë kauze mund të justifikojë një vuajtje të tillë mes palestinezëve të zakonshëm?

Një marrëveshje ka qenë në tryezë prej muajsh. Hamasi do të lirojë të gjithë pengjet izraelite në këmbim të një armëpushimi të përhershëm dhe tërheqjes së forcave. Pasi ka riformuar rajonin dhe ka habitur kritikët e vet, z. Netanyahu tani duhet të bëjë atë që është si e drejtë ashtu edhe e zgjuar: të pranojë marrëveshjen që është në tryezë në Gazë, të kthejë pengjet në shtëpi dhe të përfundojë luftën. /Telegrafi/