Nesër në Prishtinë mbahet Green Finance Day 2025: Diplomacia dhe financat e gjelbra në fokus

Nesër, më 5 dhjetor, në Insta Innovation Center do të zhvillohet Green Finance Day 2025, një ngjarje që sjell në një vend përfaqësues diplomatikë, institucione financiare dhe ekspertë të inovacionit për të diskutuar vizionin e Evropës për tranzicionin drejt një ekonomie të qëndrueshme me karbon të ulët.
Eventi do të hapet me fjalime nga përfaqësues të Ambasadës së Luksemburgut dhe Ambasadës së Gjermanisë, të cilët do të ndajnë perspektivat e tyre për rolin që financimi i gjelbër luan në zhvillimin ekonomik dhe në adresimin e sfidave klimatike.
Programi vazhdon me panelin tematik “Financing the Green Transition: From Policy to Practice”, ku do të diskutohen politikat, rregulloret dhe instrumentet financiare që nxisin investimet në energji të pastër, projekte të qëndrueshme dhe infrastrukturë moderne.
Në vijim, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndjekin një Insight Session me Bersant Disha dhe Mentor Pllana, një bisedë e drejtpërdrejtë mbi vizionin, sfidat dhe rrugën përpara për financat e gjelbërta dhe inovacionin në rajon.
Green Finance Day 2025 synon të krijojë një platformë bashkëpunimi midis sektorit publik, institucioneve financiare dhe industrisë, duke e pozicionuar Kosovën gjithnjë e më shumë në hartën e diskutimeve për zhvillimin e qëndrueshëm në Evropë.



















































