Rreth filmit dokumentar Kolonët [The Settlers].

Nga: Louis Theroux / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com


Nuk ishte diçka që e prisja. Të bëhej viral një film për situatën në Bregun Perëndimor - një histori që duket gjithmonë e pranishme. Vlerësim, tronditje, mirënjohje, zemërim për atë që tregonte filmi ... Gjatë gjithë javës nuk u ndalën. Më shumë ripostime, më shumë reagime, pak kundërshti. Tronditja ishte tema e shumë mesazheve - ideja se “kjo po ndodh”. Dhe, një ndjesi: “Më në fund”. “Më në fund, televizioni kryesor britanik po thotë diçka për atë që po ndodh”.

Filmi ishte një lloj vazhdimi. Në vitin 2010, kisha realizuar një dokumentar të quajtur Ultra-sionistët [Ultra Zionists]. Ishte një vështrim mbi komunitetin nacionalist fetar izraelit që ekziston në Bregun Perëndimor - zona përgjatë skajit lindor të Izraelit që është nën pushtim ushtarak që nga Lufta Gjashtëditore e vitit 1967. Tani, një dekadë e gjysmë më vonë, me vëmendjen e botës të përqendruar në Gazë, raportohej se kolonët po intensifikonin aktivitetet e tyre. Qeveria izraelite u kishte dhënë atyre mijëra pushkë sulmi. Të shtënat ndaj palestinezëve, dëmtimet e pronave të tyre dhe ngacmimet ishin që të gjitha duke u shtuar.

Filmin e konceptuam si një lloj filmi rruge nëpër një rajon nën pushtim ushtarak. Gjatë dy udhëtimeve, ku secili zgjati pak më shumë se një javë, me regjisorin tim Josh Baker dhe producentët Sara Obeidat dhe Matan Cohen, udhëtova lart e poshtë Bregut Perëndimor. Arrita të hyja në komunitetin e kolonëve, duke intervistuar përfaqësues të mendësisë së tyre. Ndër ta ishte Ari Abramowitz, nga Ferma Arugot, një vend turistik që ndodhet thellë brenda Bregut Perëndimor të pushtuar. Abramowitzi ka lindur dhe është rritur në Teksas, por erdhi në Izrael si i ri, duke përfituar shtetësinë izraelite për shkak të trashëgimisë së tij hebraike. Për intervistën tonë, më priti i armatosur me një pushkë automatike dhe një pistoletë. Më mori në një ecje dhe shprehu bindjen se populli palestinez “nuk ekziston”.

Kalova gjithashtu një kohë me Daniella Weissin, gruan që shpesh njihet si “nëna shpirtërore” e projektit të kolonëve. Si një 79-vjeçare energjike, Weiss ka punuar për më shumë se 50 vjet për të zgjeruar praninë izraelite në Bregun Perëndimor - ose Judea dhe Samaria, siç e quan ajo - duke lobuar te qeveritë, duke mbledhur fonde brenda dhe jashtë vendit, si dhe duke promovuar një vizion të një rajoni të sunduar plotësisht nga izraelitët, ku palestinezët ose do ta pranojnë këtë realitet ose do të largohen.

Daniella Weiss me Louis Therouxin (foto: BBC)

E pamë atë në veprim gjatë një ngjarjeje që promovonte idenë e vendbanimeve vetëm për hebrenjtë në Gazë - kufiri më i fundit i aktivitetit të kolonëve. Në një fjalim të zjarrtë, ajo deklaroi se palestinezët e rajonit duhej të largoheshin dhe të shkonin në vende të tjera - në Turqi, në Kanada - kudo tjetër. Në një tjetër vizitë në kufirin me Gazën, ajo shoqëroi një rabin të njohur, Dov Lior. Me rrënojat që nxirrnin tym pas tij, ai foli për nevojën për të "pastruar" tokën nga "kalorësit e deveve". Në takimin që shënoi skenën përmbyllëse të filmit, unë dhe Daniella Weiss patëm një debat të ashpër mbi një kodër në Eviatar, vendbanimi më i fundit i njohur nga shteti izraelit.

Gjatë ditëve të xhirimeve, duke udhëtuar përmes pikave të kontrollit, pranë mureve mbrojtëse, kullave të rojeve, ullishtave dhe qyteteve palestineze, m'u kujtua vizita ime e mëparshme 14 vjet më parë. Shumëçka ishte ende njësoj. E njëjta ndjesi e një shoqërie me dy nivele: kolonë hebrenj të mbrojtur nga ligji civil izraelit; palestinezë që jetojnë nën një regjim të paqartë ushtarak, me rrugë të mbyllura dhe vështirësi të mëdha e të vogla në jetën e përditshme. Poshtërimi i përditshëm i pritjeve në rend dhe kontrollit të pasaportave. Frikë nga vandalizmi dhe kërcënimi nga kolonët.

Reagimi ndaj filmit, kur u transmetua, ishte i menjëhershëm. Shkrime pozitive dhe komente masive në internet. Disa kritika vërejtën se kishte një “seriozitet” të ri në qasjen time. U përmend një moment kur i thashë Daniella Weissit se mendimet e saj dukeshin “sociopatike” - pasi ajo sugjeroi se interesohej vetëm për mirëqenien e popullit të saj dhe nuk i vinte fare mendja për të tjerët. U tha se dukesha më i vendosur se zakonisht. Nuk jam i sigurt nëse kjo është e vërtetë. Por, mendoj se pesha e asaj që po ndodh i dha takimit më shumë rëndësi.

A mund të bëhet Bregu Perëndimor Gaza e radhës?

Disa shkrime kishin qasje kritike ndaj filmit. Akuza kryesore ishte se isha përqendruar te një grusht individësh të çmendur që nuk përfaqësonin komunitetin më të gjerë. “Weiss është një grua e çmendur”, shkroi një vlerësues në Daily Mail. Në X, ambientalisti konservator Ben Goldsmith pohoi se ekstremistët në film “përfaqësojnë një margjinë të çmendur të shoqërisë izraelite ... po aq përfaqësuese për tërësinë sa është Tommy Robinson për shoqërinë britanike”.

Por, ky krahasim zbulon se çfarë e bën situatën në Bregun Perëndimor kaq të veçantë. Në Mbretërinë e Bashkuar, Robinsoni shihet gjerësisht si një figurë periferike. Ai është i përjashtuar nga politika dhe i shmangur nga ata që janë afër qeverisë. Por, këtu kemi një situatë ku një figurë e ngjashme gëzon ndikim të madh brenda kabinetit izraelit dhe ka mbrojtjen e ushtrisë në projektin e saj të zgjerimit të vendbanimeve. Siç tha gazetari i Haaretz-it, Etan Nechin, në përgjigje ndaj Goldsmithit: “Përfaqësuesit e tyre, fjalë për fjalë, janë ulur në qeveri dhe kontrollojnë gjithçka, nga policia deri te thesari”.

Të tjerët pyetën pse nuk e përmenda faktin se qindra mijëra palestinezë që jetojnë nën okupim në Bregun Perëndimor janë tashmë refugjatë - ose pasardhës të tyre - pasi janë dëbuar nga tokat ku jetonin në vitin 1948, kur u krijua shteti i Izraelit. Tani ata përballen me një shpërngulje të mundshme të dytë, ndërsa kolonët - dhe elementë të shtetit izraelit - kërkojnë dëbime të mëtejshme dhe vazhdojnë ta bëjnë jetën të padurueshme për palestinezët.

Pjesa e analizës që nuk u tha qartë, por ishte e pranishme në sfond, ishte pyetja: “Pse pikërisht Izraeli”? - ideja se mizori me seriozitet të ngjashëm po ndodhin në pjesë të tjera të botës dhe se, duke raportuar për ekstremizmin fetar nacionalist izraelit, mund të kemi kontribuar në rritjen e ndjenjave anti-hebraike. E marr seriozisht këtë akuzë, për arsyen se shpresoj se është e kuptueshme.

Aktivisti palestinez Issa Amro, i cili shfaqet në dokumentarin Kolonët, duke ecur nëpër një pikë kontrolli izraelite në Hebron në vitin 2021 (Foto: Emmanuel Dunand/AFP/Getty Images)

Por, urgjenca në këtë rast qëndron në faktin se kolonët e Bregut Perëndimor janë tregues paralajmërues për drejtimin që mund të marrë shoqëria në vende të ndryshme të Perëndimit. Në të kaluarën, agjenda e kolonëve është mbështetur nga qeveritë, si të djathta ashtu edhe të majta, por aktualisht po përqafohet nga liderët populistë dhe elementët e ekstremit të djathtë të cilëve u pëlqen shumë karakteri i saj etno-nacionalist dhe anti-demokratik. Në të njëjtën periudhë kur u transmetua dokumentari, ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, i cili është kolon, po pritej në Mar-a-Lago. Prandaj, një film për kolonët ekstremistë të Bregut Perëndimor nuk ka të bëjë vetëm me një rajon të Lindjes së Mesme. Ka të bëjë edhe me “ne”.

Edhe pse reagimi global ndaj Kolonëve ka qenë kryesisht inkurajues, ekziston edhe një aspekt zhgënjyes. Siç vuri në dukje me të drejtë Peter Oborne, në një recension simpatik, “ky film nuk na tregon asgjë të re mbi situatën në Bregun Perëndimor të okupuar”. Faktet ishin të njohura për ata që i kishin ndjekur ato - nga dokumentari fitues i Oskarit, Asnjë tokë tjetër [No Other Land], Toka jonë: Lufta tjetër e Izraelit [Our Land: Israel’s Other War] nga ITV, një dokumentar që përfshin skena të jashtëzakonshme të kolonëve që marrin kontrollin e tokave bujqësore dhe që janë referenca për frikësim dhe dëbim.

Një nga rezultatet më të trishtuara dhe më të padrejta të filmit tonë lidhet me aktivistin palestinez Issa Amro. Amro jeton në Hebron, një qytet në Bregun Perëndimor ku, që nga viti 1968, jetojnë rreth 700 kolonë në qendër të qytetit, të rrethuar nga një prani e fuqishme ushtarake izraelite. Ne e xhiruam Amronin gjatë ecjes nëpër të ashtuquajturën “zonë sterile” - term që përdor ushtria. Vetëm disa ditë pas transmetimit të filmit, Issa raportoi në rrjetet sociale se ishte ngacmuar nga kolonët dhe ushtarët pranë shtëpisë së tij, në atë që dukej si një hakmarrje për pjesëmarrjen e tij në dokumentar. Ekipi ynë u lidh me të dhe bëri çfarë mundi për t’i ofruar mbështetje të duhur.

Studiuesi dhe shkrimtari Hamza Yusuf shkroi në X se indinjata ndaj gjithçkaje që u shfaq te Kolonët “flet shumë për mënyrën se si media ka mbrojtur publikun nga realiteti brutal i okupimit të Izraelit”. Po aq krenar sa jam për filmin, unë e di se dokumentari ynë nuk mund të kapë kurrë në tërësi ndikimin e asaj që po ndodh në Bregun Perëndimor. Realiteti i dëbimit dhe ngacmimit shpesh ndodh në ndërveprime edhe më ekstreme se ato që pashë unë.

Ndaj, jam mirënjohës për reagimin. I inkurajoj njerëzit të lexojnë dhe të informohen më shumë për këtë temë. Jam i lumtur që arritëm të tregojmë aq sa treguam. Por, gjithashtu, do të doja të kishim mundur të tregonim shumë më shumë. /Telegrafi/