Telegrafi

Në prag të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit PriFest, drejtori Fatos Berisha: Të gjithë filmat janë premierë në Kosovë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë PriFest, i cili sivjet do të mbahet nga 10 deri më 15 shtator, do të ofrojë për dashamirët e kinematografisë 22 filma kategorish të ndryshme të kinematografisë ndërkombëtare.

Drejtori i PriFest, Fatos Berisha, duke folur për Telegrafin, tha se festivali është rezultat i një pune njëvjeçare dhe, sipas tij, fokusi kryesor është që të sjellin të gjitha premierat e filmave.

“Është kulmi i punës njëvjeçare për të arritur deri këtu. Stafi po punon full time(orar të plotë), janë detajet e fundit. Pra, fillojmë prej 10 deri më 15 shtator. Ajo që është kryesore e që çdo herë e kemi pasur në fokus, është që të sjellim të gjitha premierat e filmave. Kemi edhe premiera ndërkombëtare edhe premiera evropiane, ka shumë premiera rajonale”, theksoi ai.

Berisha tha se në total do të jenë 22 filma që do të shfaqen në kategori të ndryshme prej asaj kryesores që është filmi i gjatë artistik ballkanik.

“Me një fjalë janë 22 filma në total që do të shfaqen sivjet në kategori të ndryshme prej asaj kryesores që është filmi i gjatë artistik ballkanik, filmi i shkurtë dhe filmi i metazhit të mesëm. Kemi edhe programe speciale siq është ai i FOKUS, ku e kemi në fokus në shtet të caktuar, këtë vit e kemi Britaninë e Madhe edhe programi Let it be që ka të bëjë me komunitetin LGBTI. Pra, në total janë 22 filma”, tha ai.

Ndër të tjera, Berisha tha se të gjithë filmat që do t’i sjellin, janë premiera në Kosovë.

“Të gjithë filmat që do t’i sjellim janë premiera në Kosovë. Kemi edhe premiera botërore siç është filmi me të cilin e hapim festivalin. Filmi i regjisorit Isa Qosja, filmi “Lejlek “, që është koproduksion i Kosovës me Malin e Zi, pra, është premierë botërore”, tha Berisha.

Ai u shpreh se do të ketë emra shumë të njohur të industrisë filmike.

“Ende jemi në momentet kur nuk po guxojmë të shpalosim të gjithë emrat pa u konfirmuar 100%. Në  disa juri do të jenë disa emra shumë të njohur për industrinë e filmit…Por, po do të ketë si çdo vit emra të njohur të industrisë së filmit. Natyrisht, do të ketë nga rajoni, nga Kosova njerëz të autoritetit të lartë”, tha ai.

Ndryshe nga vitet e kaluara, të gjithë dashamirët e PriFestit, këtë vit do të kenë mundësi të shohin të gjithë filmat, pasi që koha dhe vendi ku do të shfaqen, do të përshtaten.

“Këtë vit janë 22 filma dhe për shkak që i kemi nda aktivitetet gjatë vitit, kemi edhe javë të tjera të filmit, dokumentarë, PriFesti është ngjeshë pra ka më pak numër të filmave. Që po besoj se është më mirë për publikun sepse shpesh herë ka ndodhë kur i kemi dhënë disa filma në lokacione të ndryshme, publikut i është dashur të zgjedhë se ku do të shkojë. Kështu që ne këtë vit e kemi bërë një orar ku publiku mund ti sheh të gjithë filmat. Të gjithë do të jepen një herë por në programe të veçanta”, tha ai.

Ndryshe, këtë vit festivali do të mbahet nga 10 deri më 15 shtator dhe disa nga filmat do të shfaqen deri në oren 19:00 dhe do të jenë pa pagesë. /Telegrafi/