Në përvjetorin e çlirimit të Prishtinës, Rama nderon të mbijetuarin e dhunës seksuale në luftë Ramadan Nishorin

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka takuar sot Ramadan Nishorin, të mbijetuarin e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë.
Rama thotë se në prag të përvjetorit të çlirimit të Prishtinës, nderojmë me krenari historinë e atdheut tonë.
"Lufta e fundit la jo vetëm plagë fizike, por edhe plagë shpirtërore që na kujtojnë se liria ka çmim të lartë. Në këtë moment reflektimi, vlerësojmë me respekt dhe nderim guximin e Ramadan Nishorit, burrit të parë që publikisht pranoi se është viktimë e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. Ai na mëson se përballja me të kaluarën është hapi i parë drejt shërimit dhe drejtësisë. Pa guximin për të thyer heshtjen, nuk ka mundësi për ndërtim të qëndrueshëm kombëtar", ka shkruar Rama në Facebook.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se "Liria nuk është vetëm një fjalë, por një detyrim i përhershëm ndaj të vërtetës dhe drejtësisë. Respekt për guximin tënd, z.Nishori"./Telegrafi/

















































