Disa lagje në Prishtinë mbesin pa energji për mbi nëntë orë, probleme edhe në trafik

Disa lagje të Prishtinës vazhdojnë të përballen me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike, duke shkaktuar vështirësi për banorët dhe probleme në komunikacion.
Sipas raportimeve, tash e gati nëntë orë pa furnizim të rregullt me energji kanë mbetur banorët në Lagjen e Spitalit dhe në zonën e Qendrës Studentore.
Ndërprerje janë raportuar edhe në rrugët “B” dhe “Muharrem Fejza”, si dhe në lagjen Dardania, që nga ora 14:00 e së dielës.
Qytetarë të shumtë kanë reaguar në rrjetet sociale, duke shprehur pakënaqësi për mungesën e energjisë dhe mungesën e informacioneve zyrtare për kohën e rikthimit të saj.
Ndërkohë, KOSTT ka bërë të ditur se shkak i ndërprerjes është një shembje dheu në rrugën “Don Shtjefën Kurti”, e cila ka dëmtuar infrastrukturën energjetike dhe ka prekur rrjetin transmetues në nivelin 110 kV.
Si pasojë, një pjesë e konsumatorëve që furnizohen nga nënstacioni Prishtina 6 kanë mbetur pa energji elektrike.
KOSTT njofton se ekipet e saj, në koordinim me KEDS-in, janë në terren dhe po punojnë për sanimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit.
Mungesa e energjisë ka ndikuar edhe në funksionimin e semaforëve, veçanërisht në zonën e Qendrës Studentore, duke shkaktuar kaos në trafik. Në këtë pjesë, qarkullimi po menaxhohet nga Policia e Kosovës.






















































