LAJMI I FUNDIT:

Në gjykimin ku KEK-u u dëmtua 53 mijë euro, dëshmitari thotë se malli nuk është pranuar sipas gjendjes faktike

Në gjykimin ku KEK-u u dëmtua 53 mijë euro, dëshmitari thotë se malli nuk është pranuar sipas gjendjes faktike

Në gjykimin ku Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), u dëmtua në vlerë prej  53 mijë euro, dëshmitari Labinot Sadiku ka thënë se porosia e reduktorëve nuk ka qenë e nevojshme dhe se malli nuk është pranuar sipas gjendjes faktike.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Sadiku e bëri në gjykimin ku Nazmi Musliu bashkë me  Zeqir Gashin, Rexhep Gashin, Agron Hajrizin dhe Qazim Reqicën po akuzohen se kanë dëmtuar KEK-un në vlerë prej 53 mijë euro, duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare. Ndërsa, për veprën penale të mashtrimit po akuzohet Tefik Hargaja.

“Sa i përket komisionit për literim të vitit 2014, kanë pranuar reduktorët 14 kw që kushtojnë 16 mijë euro për copë, ndërsa realisht fizikisht reduktori ka qenë i 15 kw me çmim 2600 euro. Nga krejt ky literim KEK-u është dëmtu në shumë prej 53 mijë e 600 euro”, tha dëshmitari Sadiku.


Ai ka sqaruar se më 21 shkurt 2024 në depon e Termocentralit “Kosova A”, operatori ekonomik ka dërguar 4 reduktor të fuqisë 15 kw, kurse në fletëdërgesë dhe faturë të operatorit ekonomik janë prezantuar reduktor me 14 kw.

Sipas tij, çmimi i reduktorit 15 kw që është dërguar ka qenë 2600 euro për copë, ndërsa reduktori i 14 kw kishte kushtuar 16 mijë euro për copë.

“Në procesverbal është shkruar 14 kw, në fletdërgesë dhe faturë të dorëzuar nga operatori ekonomik është 14 kw. Ndërsa realisht reduktori është 15 kw. Porosia ka qenë për 14 kw, ndërsa këta i kanë pru të 15 kw”, ka thënë dëshmitari Sadiku.

Ai tha se në komision pranues, sipas procesverbalit të pranimit të mallit, kanë marrë pjesë Qazim Reqica, Rexhep Gashi dhe Zeqir Gashi dhe se ky komision caktohet nga drejtori i termocentralit.

Sadiku ka sqaruar se në bazë të kontratës, reduktor të fuqisë 14 kw pozicioni numër 11 është paraparë sasia prej 1 cope e përafërt për 12 muaj, duke vlejtur njëjtë edhe për reduktorin e fuqisë 15 kw të pozicionit numër 33.

“Në bazë të kontratës është dashtë të blihen tre reduktorë të pozicionit 14 kw dhe tre të pozicionit 15 kw”, tha dëshmitari Sadiku.

Për të pandehurin Arton Hajrizi, ai tha se gjatë trajtimit të rastit ka komunikuar me Agron Hajrizin dhe iu është thënë që është projekt menaxher për 5 pozicionet e para, ndërsa për pozicionet tjera nga numri 6 deri në 59 projekt menaxher është Nazmi Musliu, por që për këtë tha se nuk ka ndonjë dokument përveç e-mailit.

Sipas tij, me rastin e porositjes së 4 reduktorëve nga i pandehuri Musliu, kishin qenë edhe 4 reduktor të vitit 2014 rezervë në magazinë.

Ai tha se kontrata është paraparë të skadojë më 22 maj 2016, ndërsa porosia ishte bërë më 13 maj 2016.

Dëshmitari Sadiku tha se dallimi i reduktorëve nga pozicioni 33 dhe 11 është vetëm fuqia dhe çmimi.

Kurse, në bazë të pjesës së përshkrimit të çmimeve, ai tha se është paraparë të blihen sasia prej 1 reduktori, e që realisht janë blerë 8 dhe për shkak se nuk janë përdorur është dhënë konkluzioni që është tejkaluar për 600% vlera e kontratës.

Ky konkluzion tha se është dhënë bazuar në mos shfrytëzimin e këtyre reduktorëve, për vet faktin se këta reduktor nuk janë përdorur.

“Kryesisht në KEK lihet nga një pjesë rezervë por jo 8 copa”, tha Sadiku.

Ai tha se në rrethana normale porosia duhet të bëhet sipas nevojave në punë-prodhim ndërsa në rastin konkret është e dyshimtë porosia e këtyre reduktorëve.

Ndryshe, në këtë seancë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ngadhnjim Arrni i kishte tërhequr vërejtjen të akuzuarit Nazmi Musliut për prishje të rendit dhe qetësisë dhe mbrojtësit të tij, avokatit Nexhmedin Sejdiut që të mos ndërhyj apo këshilloj dëshmitarin se si të përgjigjet, duke i paralajmëruar të njëjtit se nëse përsëriten veprime të tilla, do të ndërmarrë veprime ligjore.

Po ashtu, gjykatësi Arrni edhe pas tejkalimit të orarit të punës, iu ka ofruar palëve që të vazhdohet edhe me dëgjimin e një dëshmitari tjetër, por që të gjitha palët u pajtuan që seanca të ndërpritet.

Ndryshe, aktakuza e ushtruar në nëntor të vitit 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Zeqir Gashin, Qazim Reqicën dhe Rexhep Gashin, se kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare  në KEK- Obiliq, duke pranuar nga operatori ekonomik “Univers-M” katër reduktorë të 15 KW nga pozicioni i 33, i të njëjtës kontratë, mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në flete dërgesë dhe në fatura, raporton BetimiperDrejtesi.

Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënuar me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tutje, sipas aktit akuzues, me datë, kohë dhe vend të njëjtë i akuzuari Agron Hajrizi, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka shfrytëzuar detyrën zyrtare, ku si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues nuk e ka bërë përcjelljen e saj ashtu siç është e rregulluar me ligj dhe në këtë mënyrë ka mundësuar blerjen e katër reduktorëve të 15KË nga pozicioni i 33-të i të njëjtës kontratë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në maj të 2016-ës, në KEK-Obiliq, i akuzuari Nazmi Musliu duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues, ka nënshkruar kërkesën për blerjen e katër reduktorëve të 14 KW nga pozicioni i 11-të i kontratës me çmim prej 16 mijë euro për copë, edhe pse në të njëjtën kontratë në pozicionin 33 kishte reduktorë të 15 KW me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë.

Me këtë, Hajrizi dhe Musliu po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Ndërsa, Tefik Hargaja akuzohet se si person përgjegjës mashtron KEK-un si autoritet kontraktues, duke dorëzuar katër reduktorë të 15-të të pozicionit 33 me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë, ndërsa i kishte faturuar si në kërkesën e Autoritetit Kontraktues- KEK, me fletëdërgesë  me çmim prej 16 mijë euro për copë ashtu siç ishte në pozicionin nr.11 të kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të KEK-ut në vlerë prej 53 mijë euro.

Me këtë, i pandehuri Hargaja ngarkohet se e ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.