Policia e Kosovës ka njoftuar se ka intervistuar kryetaren e Komunës së Ranillugut, Tanja Antiq, nën dyshimin se përmes anëtarëve të komisionit komunal zgjedhor të Listës Serbe ka ushtruar ndikim dhe presion ndaj votuesve të papërcaktuar apo atyre që mbështesin subjekte të tjera politike.

Sipas njoftimit të Policisë, më 28 dhjetor 2025, përmes rrugëve operative janë pranuar informacione se Antiq, e cila është edhe anëtare e Kryesisë së forumit të gruas të Listës Serbe, dyshohet se ka ndikuar tek votuesit përmes strukturave partiake në komunën e Ranillugut.


“Të njëjtit dyshohet se janë kanosur për ndërprerje të benefiteve që këta qytetarë i përfitojnë nga shteti i Serbisë, në rast të mosvotimit sipas udhëzimeve”, ka thënë policia.

Policia ka bërë të ditur se e dyshuara është shoqëruar në ambientet e hetimeve rajonale, ku është intervistuar në prani të avokatit, me qëllim të verifikimit të informacioneve dhe sqarimit të rrethanave të rastit.

“Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia, duke shtuar se rasti i cilësuar si “Cenim i fshehtësisë së votimit” do të vazhdojë të hetohet nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore.

Në Kosovë sot, më 28 dhjetor 2025, po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare./Telegrafi.