“Ndërmjetësimi kursen kohë, para dhe raporte” - Ganimete Xhelili flet për zgjidhjen më efikase të mosmarrëveshjeve

Në Kosovë, shumë qytetarë ende zgjedhin rrugën e gjatë të gjykatave për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet pronësore edhe pse ekziston një alternativë shumë më e shpejtë, më pak e kushtueshme, e ajo është procesi i ndërmjetësimit.
Në episodin e 12-të të podcastit për pronat në Telegrafi me redaktoren Jehona Hulaj, për këtë proces dhe për punën që bën Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës, foli kryetarja e kësaj ode, Ganimete Xhelili.
Xhelili sqaroi se ndërmjetësimi është një mënyrë paqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ku palët me ndihmën e një personi të tretë neutral, pra ndërmjetësuesit arrijnë një marrëveshje të përbashkët.
“Në thelb, ndërmjetësimi është një mënyrë paqësore për me i zgjidh mosmarrëveshjet. Kur dy palë ulen me ndihmën e një personi të tretë neutral dhe kanë vullnet me negociu, mund të arrijnë zgjidhje për çështjet që i ndajnë,” shpjegoi ajo, duke theksuar se ndërmjetësimi në Kosovë është i rregulluar me ligj dhe kryhet nga ndërmjetësues të licencuar nga Ministria e Drejtësisë.
Aktualisht në vend janë aktivë 104 ndërmjetësues të shpërndarë në të gjitha rajonet e Kosovës, dhe qytetarët mund t’i kontaktojnë përmes faqes zyrtare të Odës, në adresën “https://ndermjetesimi.com/ndermjetesuesit-et/”.

Ligji i parë për ndërmjetësim në Kosovë është miratuar në vitin 2008, ndërsa në vitin 2018 procesi është integruar në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të vendit.
“Nëpër gjykata dhe prokurori kemi mbi njëzet zyra të ndërmjetësimit. Ligji i ri e ka paraparë edhe ndërmjetësimin online, që është një lehtësi shtesë për qytetarët,” tha Xhelili, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të procesit.
Krahasuar me proceset e ngadalshme gjyqësore, ndërmjetësimi ofron zgjidhje të shpejtë dhe me kosto minimale.
Xhelili thekson proceset e zakonshme në gjykata që shpesh zgjasin me vite të tëra, ndërmjetësimi mund të përmbyllet për disa javë apo muaj.
“Procedura e ndërmjetësimit është më e lehtë, më e qasshme dhe me kosto shumë më të ulët se proceset gjyqësore. Qytetarët i ruajnë raportet mes veti, sepse marrëveshja ndërtohet bashkë nga palët - ndërmjetësuesi nuk merr vendim për ta,” tha ajo.
Ligji parasheh që një proces i ndërmjetësimit të përfundojë brenda 90 ditëve, me mundësi shtesë prej 30 ditësh kur rasti është më kompleks.
“Pra maksimum një rast në ndërmjetësim për mu trajtu dhe me u zgjidhë, nëse kanë vullnet palët gjithmonë, zgjat maksimumi katër muaj e që, krahasimisht me proceset gjyqësore, është kohë shumë shumë e shkurtë që i kursen qytetarët tanë”, shtoi ajo.
Sipas kryetares së Odës, ndërmjetësimi mund të aplikohet pothuajse në të gjitha rastet civile, përfshirë ato familjare, pronësore, të punës dhe në disa raste tjera penale.
- YouTube www.youtube.com
Duke folur për rezultatet konkrete, Xhelili bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2024 janë zgjidhur 14 mijë e 85 raste përmes ndërmjetësimit, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të këtij viti 2,300 raste janë përmbyllur përmes vetë-referimit të qytetarëve, pa përfshirë ato që janë dërguar nga gjykatat dhe prokuroritë.
“Vitin e kaluar kemi pasë 4,106 raste me vetë-referim për gjithë vitin. Sivjet, vetëm në gjashtëmujorin e parë kemi arritur gati gjysmën e atij numri. Kjo tregon që qytetarët po e njohin e po e besojnë procesin,” deklaroi ajo, duke shtuar se megjithëse vetëdijesimi është në rritje, ende ka shumë qytetarë që e shohin gjykatën si rrugën e vetme për zgjidhjen e problemeve.
Një nga shembujt që Xhelili përmendi gjatë intervistës është ai i rasteve pronësore që kanë pritur me vite nëpër gjykata, por janë zgjidhur shumë shpejt nëpërmjet ndërmjetësimit.
“Kemi raste pronësore që kanë pritë në gjykatat tona mbi dymbëdhjetë vite dhe në seanca të ndërmjetësimit janë zgjidhë me dy seanca,” tha ajo, duke e cilësuar këtë si një tregues të qartë se procesi funksionon kur palët janë të gatshme për dialog dhe kompromis.
Megjithatë, pavarësisht progresit, Xhelili vuri në dukje një problem serioz që po e pengon zbatimin e plotë të këtij procesi, mënyrën jo të njëjtë të ekzekutimit të marrëveshjeve nëpër komuna.
Ajo foli edhe për koston e ndërmjetësimit, që sipas saj është shumë më e përballueshme krahasuar me proceset gjyqësore.
“Për rastet që referohen nga gjykatat dhe prokuroritë, kostoja është 40 euro për rast. Ndërsa për rastet me vetë-referim fillon prej 40 eurove dhe nuk e tejkalon shumën 600 euro, varësisht nga kompleksiteti i rastit,” tha ajo.

Për të përmirësuar besimin e qytetarëve, Oda e Ndërmjetësuesve ka zhvilluar fushata vetëdijesuese, trajnime për ndërmjetësuesit dhe bashkëpunime me institucione publike e ndërkombëtare.
“E dijmë që besimi ndërtohet me efikasitet dhe me suksese. Sa më shumë raste të zgjidhura përmes ndërmjetësimit, aq më shumë qytetarët do të besojnë në këtë proces,” theksoi Xhelili.
Në fund të intervistës, Xhelili dha një mesazh të qartë për qytetarët që po përballen me konflikte, sidomos për çështje pronësore: “Uroj që qytetarët të mos kenë konflikte fare, por meqë ato ekzistojnë, i inkurajoj që para se të shkojnë në gjykatë, ta provojnë ndërmjetësimin. Përfitojnë në kohë, në kosto dhe mbi të gjitha, ruajnë marrëdhëniet mes veti,” tha ajo. /Telegrafi/



















































