Sindikata e Hekurudhave “Trainkos” ka nisur sot ditën me një protestë simbolike për shkak të pakënaqësive të tyre.

Protesta ka nisur në orën 08:00 të mëngjesit, në stacionin hekurudhor të Fushë Kosovës dhe si rezultat i kësaj është ndaluar qarkullimi i trenit për një orë.


Arsyeja kryesore e protestës është niveli i ulët i pagave, të cilat sipas përfaqësuesve sindikalë nuk janë rritur prej 15 vitesh.

Kryetari i Sindikatës, Florim Gjyrevci tha për Telegrafin se në rast se nuk u rriten pagat, protestat e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Protesta është duke vazhduar, do të zgjas një orë. Protesta është duke u mbajtur në stacionin e trenave të Fushë Kosovës. Treni është ndalur dhe është fikur lokomotiva. Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen me protesta nëse nuk rriten pagat”, ka thënë Gjyrevci.

Kjo protestë u mbeshtet edhe nga "Infrakos". Kryetari i Sindikatës së “Infrakos”, Hysen Nikçi, deklaroi se kërkesa e vetme është rritja e pagave, dhe se ky veprim simbolik është një paralajmërim i fundit për institucionet përgjegjëse – para hyrjes në grevë nga 26 maji, në rast se kërkesat nuk plotësohen.

“Sot është protesta e dytë, protestojnë ‘Trainkos’ dhe ‘Infrakos’ për ngritjen e pagave. Sot jemi mbledhur për t’i bërë thirrje edhe bordit edhe qeverisë të rregullojnë çështjet tona. Të dy kompanitë, kërkojmë rritjen e pagave. Kjo është protesta e dytë që nuk ka dhënë rezultat. Protestën sot e kemi bërë një orë, ndoshta iu shkon në vesh më shumë. Kanë një javë të reflektojnë. Nëse jo, nga e hëna do ketë bllokadë totale”, ka deklaruar Nikçi.

Kujtojmë se një protestë e tillë ishte mbajtur edhe në muajin e kaluar, ku për dallim prej kësaj të sotmes treni ishte ndalur vetëm për 15 minuta. /Telegrafi/