“Na humbën 200 mijë euro!” Vrasësit u mërzitën për arrestimin e Sokol Sanxhaktarit

Në gjykatën e Posaçme, Henrik Hoxhaj, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë”, rrëfeu detaje për një porosi për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit.
Ai tregoi se gjatë përgatitjeve për vrasjen e vëllezërve Haxhia, kishte diskutuar me Nuredin Dumanin për një tjetër “punë”, ku i ishte ofruar një shumë prej 200 mijë eurosh për të goditur Sanxhaktarin.
Hoxhaj tha se nuk ishte i interesuar dhe se nuk e dinte kush ishte investitori, vetëm se, sipas Dumanit, kishte të bënte me dhëndrin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Ai nuk mbajti mend të ishte përmendur emri Suel Çela dhe nuk mori pjesë në ngjarje.
“Ndërsa po përgatitesha për vrasjen e vëllezërve Haxhia, diskutuam me Nuredin Dumanin për një punë tjetër. Ai fliste në telefon gjithë kohën. Kishte ditëlindjen atë dite. Nuk e di me kë. Më tha për Sokol Sanxhaktarin”.
Prokurori: Kush ishte i interesuar për të goditur Sokol Sanxhaktarin?
Henrik Hoxhaj: Unë kam marrë një ofertë, tha Nuredin Dumani, për Sokol Sanxhaktarin. Më tha se do bënim takim. Jepeshin 200 mijë euro. Më pyeti nëse isha i interesuar. Por mbeti këtu, nuk u bë më shumë muhabet. Nuk më tha kush ishte investitori. Nuk më është përmendur Suel Çela. Më tha se është dhëndri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Nuk më tha pse, o prokuror. Nuk mbaj mend të jetë përmendur më.
Prokurori: Një Bledar Muça, a ju ka thënë ndonjë gjë Nuredini?
Henrik Hoxhaj: Jo. Nuk kam qenë i interesuar. Nuk u morëm më me Sokolin, se u morëm me atë çfarë ishim aty.
Ditën e arrestimit të Sokolit nuk e di a kam biseduar apo jo, se nuk më ka interesuar.
Prokurori: Në 30 korrik 2020, kur Sokol Sanxhaktari vrau Florian Lamçen, Nuredini të ka shkruar ty: “Na humbën 200 mijë euro.”
Hoxhaj: Po, se nuk u mbarua puna, pra.















































