Mustafa: LDK-ja do t`i fuqizojë gratë më shumë

"Për fuqizimin e grave në ekonomi, LDK ka menduar që së pari të krijohet një fond për kreditë e bizneseve të tyre, pasi që ato nuk mund t`i garantojnë burimet vetanake të garancioneve si dhe të lirohen nga detyrimet tatimore në vitet e para të udhëheqjes së biznesit të tyre", tha Mustafa, duke shpalosur programin qeverisës të LDK-së.
Gjatë këtij përvjetori gjithashtu u vlerësua se gratë e Kosovës kanë kontribuar në gjitha proceset e rëndësishme të shtetit, i kanë rezistuar luftës, tmerrit e përndjekjes.
Mustafa tha se programi qeverisës i LDK-së është i fokusuar më shumë në zhvillimin ekonomik.
“Programi ynë është i fokusuar në ekonomi, në zhvillimin e ekonomik në hapjen e vendeve të reja të punës dhe zvogëlimin e varfërisë. Ky do të jetë fokusimi kryesorë gjatë 4 viteve të ardhshme. Ndërsa në periudhën pas 4 viteve mendojmë që të zgjerojmë këto objektiva në ato që kanë të bëjë me inkuadrimin tonë, përkatësisht në integrimin tonë në BE”, ka thënë ai.
Mustafa, tha se gruaja ka qenë shtyllë e fuqishme e kësaj partie dhe me ndihëm e tyre, të të rinjve dhe të qytetarëve të Kosovës, LDK-ja do t`i fitojë zgjedhjet e përgjithshme.
“LDK duhet të masivizohet me një pjesëmarrje shumë më të madhe të grave, pjesëmarrje më madhe të të rinjve dhe do të masivizohet në një përkrahje shumë më të madhe të qytetarëve për lidhjen demokratike të Kosovës. Kjo tashmë na nevojitet “, tha Mustafa.
Mustafa tha se LDK-ja do të vazhdojë ta mbajë premtimin edhe në zgjedhjet parlamentare, që femrat e Kosovës ta mbarojnë arsimin universitarë me zero kosto shpenzim, si dhe në këto zgjedhje. Sipas Mustafës, LDK-ja do t'i përfshijë më shumë në listat e kandidatëve për zgjedhjet, në mënyrë që ato të kenë më shumë vende në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/

















































