Kanë kaluar 27 vjet manipulim dhe heshtje politike nga Serbia për rastin “Panda”.

Për vite me radhë, shqiptarët u akuzuan publikisht pa asnjë provë, duke u shndërruar në objekt propagande dhe kriminalizimi kolektiv.


Ironia më e madhe është se vetë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se autoritetet serbe posedojnë të dhëna për vrasësit dhe, siç është shprehur ai, “e dinë saktë se çfarë ka ndodhur atë ditë”.

Megjithatë, asnjë emër nuk është bërë publik, asnjë procedurë penale nuk është hapur dhe asnjë e vërtetë nuk u është thënë familjeve të viktimave.

Eksperti i sigurisë Agim Musliu e ka cilësuar rastin “Panda” si një nga shembujt më të rëndë të operacioneve të rreme (false flag) të aparatit shtetëror serb, të përdorura për të justifikuar represionin ndaj shqiptarëve dhe për të manipuluar opinionin publik brenda dhe jashtë Serbisë.

Sipas Musliut, mënyra se si u mbyll rasti, arrestimet pa prova dhe mungesa totale e transparencës tregojnë për një krim të mbrojtur politikisht në nivelet më të larta të shtetit serb.

Ka shumë veprime të ngjashme që shteti hegjemonist serb ka kryer ndër vite, por kjo vepër në veçanti dëshmon se deri ku është në gjendje të shkojë Serbia: të vrasë edhe të rinjtë serbë për t’i përdorur si mjet akuze kundër shqiptarëve. Kjo mund të ndodhë vetëm në një shtet që nuk njeh asnjë kufi njerëzor, moral apo ligjor.

Siç thekson Musliu, rasti “Panda” nuk është vetëm një krim i pazbardhur, por edhe një dëshmi e një strategjie shtetërore të manipulimit dhe sakrifikimit të jetëve njerëzore për një kauzë të rreme politike.

Ish-prokurori i Serbisë për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviq, kishe deklaruar se ishte një fakt që në rajonin e Pejës nuk kishte “pothuajse asnjë shqiptar” në kohën e sulmit.

“Ne arritëm në përfundimin se shqiptarët nuk janë autorët e krimit,” tha Vukceviç për BIRN.

Megjithatë, ai shtoi se prokuroria ekrimeve të luftës nuk e hetoi rastin, pasi ai ishte jashtë juridiksionit të saj.

Vukçeviq tha se nuk beson se hetimi i ri serb do të zbulojë të vërtetën mbi faktin se kush e organizoi sulmin në “Panda Café”.

“Kjo nuk ka të bëjë fare me kohën që ka kaluar që nga sulmi, por me vendosmërinë e atyre që po hetojnë,” tha Vukçeviq.

E Musliu theksoi se bota duhet ta kuptojë realitetin dhe manipulimet e një shteti që është i gatshëm të sakrifikojë edhe popullin e vet për propagandë.

Heshtja e Vuçiqit, edhe sot, vazhdon ta mbrojë këtë krim dhe ta mbajë të gjallë padrejtësinë ndaj viktimave dhe familjeve të tyre./Telegrafi/