Musk zbulon planin për të 'luftuar' ata që i dëmtojnë Teslat

Tesla e ka bërë të qartë se është duke mbajtur një qëndrim të vendosur kundër vandalizmit në objektet e saj në të gjithë SHBA-në dhe është duke nxjerrë një strategji të re: aktivizimin e modalitetit Sentry në të gjitha veturat në sallonet e saj.
Ky veprim vjen pasi incidentet e sulmeve të synuara ndaj automjeteve Tesla janë përshkallëzuar, si në SHBA ashtu edhe në tjera shtete.
Vetëm dje, një investitor dhe mbështetës i njohur i Teslas sugjeroi që kompania duhet të rrisë sigurinë duke punësuar roje në të gjitha ekspozitat dhe qendrat e saj të shërbimit në të gjithë SHBA-në dhe Kanadanë – të paktën derisa gjërat të qetësohen.
Elon Musk u përgjigj shpejt, duke njoftuar se Tesla kishte "rritur sigurinë" dhe kishte aktivizuar Sentry Mode në të gjitha automjetet në vendndodhjet e saj, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se ky sistem përdor kamerat e jashtme që gjenden në të gjitha modelet Tesla për të regjistruar vazhdimisht atë që po ndodh rreth automjetit.
Është vërtetuar jashtëzakonisht e dobishme për pronarët ndër vite, duke kapur vandalët dhe hajdutët në pamje të qartë.
Megjithatë, ky njoftim mund të jetë “thikë me dy teha” për Musk.
Tani që vandalët e dinë se çfarë po bën Tesla, ata mund të marrin masa paraprake, si të mbulojnë fytyrat e tyre për të shmangur identifikimin.
Ndërsa Sentry Mode me siguri mund të jetë një pengesë, nuk është pa të meta.
Një nga shqetësimet kryesore është ndikimi i sistemit në jetëgjatësinë e baterisë.
Tesla nuk ka publikuar kurrë zyrtarisht shifrat se sa bateri konsumohet nga Sentry Mode, por testet e pavarura sugjerojnë se mund të shkarkojë midis 10-15% të baterisë çdo ditë. /Telegrafi/









































