Murtezaj: 18 muaj pa mbajtur Këshillin e Përgjithshëm i LDK-së, demokracia e brendshme është bllokuar

Profesori dhe njëherësh anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj, ka reaguar ashpër ndaj menaxhimit të brendshëm të partisë, duke thënë se tashmë janë bërë 18 muaj që LDK-ja nuk ka thirrur asnjë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm – organi më i lartë vendimmarrës mes dy kuvendeve.
Murtezaj u shpreh se nga 28 maji 2024 e deri sot, LDK-ja nuk ka zhvilluar asnjë takim ku duhej të diskutoheshin situata politike në vend, gjendja e institucioneve dhe funksionimi demokratik brenda partisë.
Ai tha se kjo është “mundësia e fundit” e anëtarëve të Këshillit për të kryer përgjegjësitë e tyre statutare dhe për të përcaktuar qëndrimet politike të LDK-së.
Murtezaj ngriti disa pyetje të drejtpërdrejta për menaxhmentin aktual të LDK-së, duke kërkuar përgjigje se pse po anashkalohet Statuti i partisë dhe pse po shmanget mbledhja e forumit kryesor vendimmarrës.
Ai theksoi se vetëm Këshilli i Përgjithshëm ka autoritet për të përcaktuar qëndrimet politike të LDK-së dhe për të marrë vendime për çështje madhore, si për partinë ashtu edhe për institucionet e Republikës së Kosovës.
Murtezaj i lidh zhvillimet e brendshme të LDK-së me situatën aktuale politike në vend, duke deklaruar se Kosova po kalon krizën më serioze institucionale që nga shpallja e pavarësisë. Ai tha se vendi prej një viti “nuk ka qeveri efektive dhe as Kuvend funksional”, duke fajësuar mungesën e lidershipit dhe rritjen e egoizmit politik.
Në deklaratën e tij, Murtezaj kujtoi vizionin e Presidentit Ibrahim Rugova dhe themeluesve të LDK-së, duke e cilësuar partinë si një forcë politike të ngritur mbi vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë.
Sipas tij, vendimmarrja duhet të bëhet brenda forumeve statutare dhe jo në forma të tjera, ndërsa angazhimi politik duhet të jetë altruist dhe në shërbim të qytetarëve.
Ai paralajmëroi se kufiri mes vendimmarrjes demokratike dhe asaj autokratike është zhvendosur në dëm të vlerave të LDK-së.
Murtezaj theksoi se LDK duhet të mbetet e vërtetë, intelektuale dhe e patjetërsuar, duke shtuar se demokracia nuk mund të ndalet.
“Zoti e bekoftë lirinë dhe demokracinë në Kosovën europiane. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës,” përfundon reagimi i tij.
















































