Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se në vitin e ardhshëm, Komunës së Prishtinës do t’i ndahen 151.53 milionë euro buxhet.

Ai tha se kjo është një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitin 2021, kur Qeveria Hoti kishte ndarë vetëm 87 milionë euro për Kryeqytetin.


“Qysh e njoh Hajrulla Çekun si punëtor të palodhshëm, këtë buxhet do ta shfrytëzojë për përmirësimin dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve të Prishtinës, dhe nuk do t’i shkojë mandati duke i tepruar nga 40-50 milionë euro suficit çdo vit, kështu siç i kanë tepruar këtij që është në ikje”, tha Murati.

Në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, i cili akuzoi Qeverinë për bllokim të qëllimshëm të projekteve dhe fondeve për Kryeqytetin.

“Siç po e shihni edhe vetë, ministritë i kanë kthyer në zyra fushate, fondet i mbajnë peng, dhe qytetarët i përdorin si mjet presioni politik! Nuk po e fshehin më bllokadën e organizuar. E gjithë qeveria e tyre ishte dhe vazhdon të jetë e mobilizuar kundër Prishtinës, me një qëllim të thjeshtë: për ta marrë pushtetin me çdo kusht”, tha Rama.

Ai shtoi se, sipas tij, suksesi i Prishtinës shihet nga qeveria si dështim partiak.

“Në vend që të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët, veprojnë si sabotatorë që mezi presin të shembin gjithçka, vetëm për të thënë ‘pa ne s’bëhet’. Sot e kanë bllokuar buxhetin, vetëm sepse nuk janë vet në qeverisje”, theksoi kryetari i Prishtinës.