Muhamet Alidemaj dënohet me 13 vjet burgim për masakrën e Izbicës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 13 vjet burg, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 2 shkurt 2026.
Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, i cili ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve, ndërsa është obliguar për shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumën prej 200 euro dhe 100 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Sipas aktakuzës, Muhamet Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë.
Ndryshe, në seancën fllestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.
Në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 korrik 2024, e shpalli fajtor Muhamet Alidemajn dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte të kryera gjatë vitit 1999 në Izbicë.
Në të njëjtën kohë, ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, e cila kishte të bënte me zhvarrosjen e trupave me ekskavator.
Kjo për shkak se, në fjalën përfundimtare të seancës së 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga kjo pikë e aktakuzës, pasi nuk ishte arritur të vërtetohej se Alidemaj kishte marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj, gjatë periudhës 24 mars – 11 qershor 1999, në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarë të tjerë të këtyre forcave, me dhunë i ndau gratë dhe fëmijët nga burrat, duke i detyruar të largohen në drejtim të Shqipërisë.
Aktakuza sqaron se burrat e mbetur u ekzekutuan me armë automatike, duke u vrarë gjithsej 130 persona, prej të cilëve 114 viktima janë identifikuar, ndërsa 12 civilë i kanë mbijetuar ekzekutimit. Më pas, pas rreth dy muajsh, thuhet se trupat e viktimave u zhvarrosën me ekskavator dhe u transportuan me disa kamionë drejt një destinacioni të panjohur.
Pas përfundimit të luftës, trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, si dhe në fshatin Suhodoll të Mitrovicës dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.
Me këto veprime, Alidemaj akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, dhe aktualisht e paraparë si “Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës”, sipas nenit 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./KP/Telegrafi/













































