Qendra e Studentëve në Prishtinë ka njoftuar studentët për ndryshimet në shërbimet e mensës dhe orarin e konvikteve gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Për syfyr, mensa do të ofrojë shujta të thata të paketuara, të cilat mund t’i merrni çdo ditë gjatë orarit të drekës.


“Këto shujta mund t’i merrni çdo ditë gjatë orarit të drekës, në një linjë të veçantë ushqimi të dedikuar për këtë qëllim”, thuhet në njoftim.

Ndërsa për iftar, për shkak të numrit të madh të studentëve, ushqimi do të jetë i disponueshëm edhe i paketuar, që mund të merret për konsum në dhomat e konvikteve.

“Për të shmangur mbingarkesën e hapësirave të brendshme, në të gjitha linjat do të servohet edhe ushqim i paketuar, duke ju mundësuar ta merrni me vete dhe ta konsumoni në dhomat tuaja në konvikte”, theksohet në njoftim.

Për të lehtësuar përgatitjet për syfyr, hyrje-daljet në konvikte do të lejohen nga ora 03:00 deri në përfundim të kohës së syfyrit:

“Ky ndryshim është i përkohshëm dhe synon t’ju ofrojë mundësinë për të siguruar ushqim ose nevoja të tjera gjatë kësaj kohe. Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, orari i mëparshëm i hyrje-daljeve do të rikthehet në fuqi”, thuhet më tej.

Qendra e Studentëve falënderoi studentët për mirëkuptim dhe bashkëpunim. “Me fat dhe shëndet gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit!”. /Telegrafi/