Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2025 për Komunën e Prishtinës ka shkaktuar përplasje mes udhëheqjes së kryeqytetit dhe nivelit qendror.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë se po e bllokon me qëllim buxhetin e komunës, duke penguar kështu realizimin e shumë projekteve të rëndësishme, transmeton Telegrafi.


Në anën tjetër, përfaqësues të Qeverisë kanë mohuar akuzat e Ramës, duke i cilësuar ato si të pabazuara.

Kryetari Përparim Rama të hënën deklaroi se prej më shumë se gjysmë viti, Prishtina është pa buxhet, duke shtuar se kjo bllokadë është e qëllimshme.

"Dhe kjo nuk është më një vonesë procedurale – është një bllokadë e qëllimshme, që po dëmton drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve. Çerdhet dhe kopshtet nuk kanë më fonde për të siguruar ushqim për fëmijët. Programet sociale janë bllokuar. Familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, artistët dhe sportistët kanë mbetur pa asnjë mbështetje institucionale", ka deklaruar Rama.

Ai ka shtuar se "Rreziku është alarmant dhe prek të gjitha shërbimet jetike në Kryeqytet: qendrat e kujdesit shëndetësor dhe transporti publik rrezikojnë shërbimin dhe arsimi parashkollor është në vështirësi. Të gjitha shërbimet jetike janë prekur nga bllokada e qeverisë".

"Kryeqytetit i bllokohet buxheti i nevojshëm për të paguar faturat e saj elementare. Një ndalese e jashtëligjshme e motivuar politikisht, që qëllimshëm po paralizon funksionimin institucional. Përtej buxhetit qendror, janë bllokuar edhe të hyrat vetanake të Komunës së Prishtinës – të mbledhura nga vetë kontributi i qytetarëve. Ky është një akt i paprecedent dhe i papranueshëm që i shndërron qytetarët në pengje të një kalkulimi politik", ka pohuar ai.

I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati. Ai i ka quajtur gënjeshtra deklaratat e Ramës.

"Përparim Rama përsëri paska rrejtë kur ka akuzu Qeverinë si bllokuese të buxhetit të Komunës së Prishtinës. Cila është e vërteta? Buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale më së voni deri me 30 shtator ashtu që pastaj të mund të bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit, i cili nga Qeveria dërgohet në Kuvend më së voni me 31 tetor", u shpreh ai në reagimin në Facebook.

Mes tjerash, Murati ka shkruar se Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin as me 30 shtator, e madje as me 31 tetor.

"Përparim Rama, përkatësisht asambleja e Komunës së Prishtinës ka miratuar projekt-buxhetin komunal me 9 dhjetor, pra pas të gjitha afateve ligjore", potencoi ai.

Përplasja nuk u ndal me kaq, në përplasjen virtuale u përfshi edhe Sokol Havolli, drejtor i Infrastrukturës në Prishtinë.

"Në vend se të merret me akuza të pavërteta dhe të hedhë hi syve të qytetarëve, pas bllokimit të buxhetit, do të ishte më e ndershme që Ministri i Financave në detyrë të përgjigjej: Pse po e mban të bllokuar projektin e unazës së jashtme të Prishtinës? 29 kilometra unazë të jashtme/autostrade rreth Prishtinës i bllokon ministri në detyrë", shkroi ai në Facebook.

Më tej, ai ka shkruar se "Afër 300 milionë euro të unazës/autostradës investime në Prishtinë i bllokon ministri në detyrë".

"Sepse të gjithë ministrat e kanë vetëm një detyrë: ta bllokojnë Përparimin e Prishtinës", nënvizoi Havolli.

Ndërsa, një fotografi të kryetarit Përparim Rama dhe ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti e shpërndau deputeti i LVV-së Ilir Kërçeli.

Sipër fotografisë, ai shkroi se Rama ka marrë këshilla si të viktimizohet.

"Ky pernime e paska marrë këtë këshillë mu viktimizu", ka pohuar Kërçeli.

Përndryshe, niveli qendror dhe udhëheqja e Komunës së Prishtinës shpeshherë përplasen për çështje të ndryshme. /Telegrafi/