Moska dëshiron që Ukraina dhe Rusia të ndajnë prodhimin e energjisë elektrike nga centrali bërthamor i Zaporizhzhisë

Kremlini dëshiron që Ukraina dhe Rusia të ndajnë energjinë elektrike të gjeneruar nga centrali bërthamor i Zaporizhzhisë, i pushtuar nga Rusia, shkruan Politico.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se një pjesë e rëndësishme e bisedimeve këtë javë është përqendruar në ekonomi dhe në atë se kush e kontrollon centralin bërthamor të Zaporizhzhisë, i cili është i pushtuar nga forcat ruse.
"Nuk pati marrëveshje, por shtytja - e favorizuar nga Moska - është që Ukraina dhe Rusia të ndajnë prodhimin elektrik nga ai central, i cili është më i madhi në Evropë", u tha nga takimi.
Aktualisht nuk dihet nëse kjo do të thotë një ndarje 50-50 apo ndonjë marrëveshje tjetër, transmeton Telegrafi.
"Të dyja palët po fillojnë të parashikojnë se çfarë mund të fitojnë nga paqja, si plani i prosperitetit për Ukrainën, disa nga këto mundësi për Rusinë për të bërë marrëveshje biznesi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha një zyrtar i dytë.
Në vitin 2025, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se Kremlini "nuk e konsideron të mundur" transferimin e kontrollit mbi centralin bërthamor të Zaporizhzhisë te Ukraina ose ndonjë vend tjetër. /Telegrafi/




















































