Emocionet janë normale, por mënyra si i përballoni bën gjithë ndryshimin

Ndarjet janë një proces i vërtetë pikëllimi, i shoqëruar me një gamë të gjerë emocionesh. Një pjesë e madhe e kësaj dhimbjeje lidhet me humbjen e asaj që mendonit se do të ishte e ardhmja juaj.


Ndarjet mund të jenë shumë të vështira, ndërsa rikuperimi shpesh edhe më i ndërlikuar, sepse sjell një përzierje emocionesh të forta.

“Faji, zemërimi, trishtimi, por ndonjëherë edhe lehtësimi, janë pjesë normale e këtij procesi”, thotë psikologia Keli Harding.

Ajo shton se shpesh njerëzit përballen me dhimbjen e një të ardhmeje që nuk u realizua. Megjithatë, ekzistojnë disa hapa që mund t’ju ndihmojnë ta përballoni më lehtë këtë periudhë.

Vazhdoni të kujdeseni për veten

Kur ndiheni të dërrmuar emocionalisht, është e vështirë të mendoni qartë. Në këto momente shpesh neglizhojmë veten, pikërisht kur kemi më shumë nevojë për kujdes.

Studime të mëparshme tregojnë se ndarjet mund të ndikojnë në gjumë dhe në sistemin imunitar. Prandaj, fokusohuni te bazat:

– flini mjaftueshëm,
– ushqeheni shëndetshëm,
– mbani një rutinë të lehtë fizike,
– qëndroni në kontakt me njerëzit që ju bëjnë të ndiheni mirë.

Këta hapa të thjeshtë ndihmojnë trupin dhe mendjen të rikuperohen më shpejt, transmeton Telegrafi.

Rrethohuni me njerëzit që i doni

Edhe pse instinkti mund t’ju shtyjë të izoloheni, qëndrimi vetëm shpesh e përkeqëson gjendjen. Dalja jashtë dhe kontakti me njerëzit ndihmon në uljen e ndjenjës së vetmisë dhe trishtimit.

“Mbështetuni te njerëzit tuaj. Lejojini miqtë t’ju jenë pranë dhe pranoni ftesat, qoftë për një kafe, një drekë apo edhe një bisedë të thjeshtë në shtëpi”, këshillon Harding.

Mbështetja emocionale është një nga faktorët më të rëndësishëm në procesin e shërimit.

Pranoni se shërimi kërkon kohë

E vërteta është se nuk ka një afat të saktë për t’u ndjerë më mirë. Shërimi nuk ndodh gjithmonë në mënyrë lineare.

Do të ketë ditë më të mira dhe ditë më të vështira. Emocionet shpesh vijnë në valë dhe kjo është krejt normale.

Durimi me veten është një nga elementet kyçe për ta kaluar këtë periudhë.

Lejojini vetes të ndjeni emocionet

“Çfarëdo që ndjeni, është në rregull ta ndjeni”, thekson Harding.

Fakti që përjetoni emocione të forta tregon aftësinë tuaj për të dashur dhe për t’u lidhur me të tjerët. Kjo është një shenjë e mirë për marrëdhëniet e ardhshme.

Ndarjet, refuzimi dhe humbja janë të dhimbshme, por gjithashtu na bëjnë më të ndjeshëm dhe më empatikë ndaj të tjerëve.

Në vend që t’i shtypni emocionet negative, flisni për to me një mik, një anëtar të familjes, një mentor apo një profesionist. Shprehja e tyre është pjesë e shërimit. /Telegrafi/